Curaçao mori një pikë historike pas barazimit pa gola 0-0 ndaj Ekuadorit, në një përballje ku ekuadorianët kontrolluan pjesën më të madhe të lojës, por nuk arritën të konkretizonin epërsinë e tyre përballë një Eloy Room në formë të shkëlqyer.
Ekuadori e bëri të qartë menjëherë qasjen sulmuese. Që në minutën e tretë, Enner Valencia pati një mundësi të mirë për të kaluar skuadrën e tij në avantazh, por portieri i Curaçaos ndërhyri në mënyrë vendimtare dhe ndali tentativën.
Të lidhura
None found
Ndeshja në pjesën e parë u karakterizua nga përplasje të shumta në mesfushë dhe lojë e fortë, çka solli edhe kartonë të verdhë për Jordy Alcivar te Ekuadori dhe Leandro Bacuna te Curaçao. Shansi më i mirë i kësaj pjese u regjistrua në minutën e 42-të, kur John Yeboah provoi rrezikshëm nga brenda zonës, por sërish Eloy Room u tregua i pakalueshëm.
Pas rifillimit, Ekuadori vazhdoi të kërkonte golin. Në minutën e 59-të, Gonzalo Plata humbi një rast shumë të mirë, duke mos arritur të mposhtte nga afërsia portierin kundërshtar me kokë.
Në aksionin pasues, konkretisht vetëm një minutë më vonë, Curaçao iu afrua realizimit me Livano Comenencia, por Hernan Galindez reagoi shkëlqyeshëm dhe mbajti të paprekur portën e tij.
Presioni i ekuadorianëve u rrit edhe më shumë në vazhdim. Në minutën e 65-të, Enner Valencia iu afrua golit, por Eloy Room bëri edhe një pritje spektakolare ndaj goditjes së tij. Një minutë më pas provoi edhe Willian Pacho me kokë pas një goditjeje nga këndi, por portieri i Curaçaos mbeti sërish i vëmendshëm.
Në pjesën e fundit të takimit, të dy trajnerët ndërhynë me zëvendësime, ndërsa Curaçao u fokusua kryesisht te mbrojtja e barazimit. Jurien Gaari u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 75-të, ndërkohë që Dick Advocaat bëri disa ndryshime për t’i dhënë freski skuadrës përballë trysnisë së vazhdueshme të Ekuadorit.
Edhe pse krijoi raste dhe insistoi deri në fund, Ekuadori nuk gjeti dot golin e shumëkërkuar. Nga ana tjetër, Curaçao qëndroi i fortë deri në vërshëllimën e fundit dhe mori një pikë të vlefshme.
Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte pa diskutim Eloy Room, i cili me disa pritje vendimtare e mbajti portën e ekipit të tij të paprekur dhe u shpall njeriu i takimit.
