Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se i ka kthyer Polonisë dekoratën e saj më të lartë shtetërore, pasi presidenti polak Karol Nawrocki deklaroi se asaj do t’i hiqej.
“Urdhri i Shqiponjës së Bardhë” i ishte akorduar Zelenskyt në vitin 2023 nga ish-presidenti Andrzej Duda.
Të lidhura
None found
Ky zhvillim ndodh në mes të tensioneve diplomatike mes Kievit dhe Varshavës, të shkaktuara nga vendimi i Ukrainës për t’i vënë emrin e një grupi të debatueshëm të Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Kryengritëse e Ukrainës (UPA), një njësie ushtarake.
Në Poloni, UPA shihet si përgjegjëse për masakrat ndaj civilëve polakë në vitet 1943–1945. Në Ukrainë, nga ana tjetër, disa e konsiderojnë atë një lëvizje që luftoi për pavarësinë kundër forcave sovjetike, Gjermanisë naziste dhe autoriteteve polake.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zelensky u shpreh se Ukraina vazhdon të jetë e gatshme për bashkëpunim me Poloninë dhe për dialog lidhur me interpretimet e së kaluarës historike, ndërsa nënvizoi edhe mirënjohjen për mbështetjen polake gjatë luftës.
Në shenjë solidariteti me presidentin e tyre, edhe disa zyrtarë të tjerë ukrainas kanë vendosur të kthejnë dekoratat polake.
Presidenti polak Karol Nawrocki e përshkroi emërtimin e njësisë ushtarake nga Ukraina si “të papranueshëm” dhe “shumë zhgënjyes”, por shtoi se kjo nuk do të ndikojë në mbështetjen e Polonisë për Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje të dyja palëve të zbusin tensionet, duke paralajmëruar se përplasjet mes aleatëve vetëm u shërbejnë interesave të Rusisë.
Polonia vijon të mbetet një prej aleatëve kryesorë të Ukrainës: ajo ka pritur qindra mijëra refugjatë dhe shërben si një qendër kyçe për dërgimin e ndihmës ushtarake dhe humanitare drejt Kievit, ndërsa Ukraina po vazhdon procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
