Mëngjesin e 22 shtatorit, Policia e Shtetit, zhvilloi një kontroll në një kompleks vilash të fortifikuara në periferi të Durrësit, i dyshuar si vendstrehimi i Ergys Agasit gjatë periudhës kur ai ishte në arrati.
SPAK bëri të ditur se ndërhyrja u krye në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme dhe ishte pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj disa zyrtarëve të lartë, të dyshuar se kishin komunikuar me Agasin ose e kishin ndihmuar atë të shmangte arrestimin.
Të lidhura
None found
Mes personave që përfshihen në vendimin për masa sigurie apo kontrolle janë shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe zyrtari i Institutit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi.
Kompleksi gjendet pranë kryqëzimit të rrugës “Durrësi në Shekuj”, në zonën e Shkozetit. Ai përbëhet nga disa ndërtesa të rrethuara me mure të larta betoni, dritare të izoluara dhe bimësi kacavjerrëse që shtrihet deri në katet e sipërme.
Dy persona të njohur me hetimin i thanë BIRN, në kushte anonimiteti, se vilat ku dyshohet se qëndronte Agasi, të pajisura me masa të forta sigurie, kontrollohen nga klani “Troplini”, pavarësisht emrave në të cilët janë regjistruar pronat.
Prokuroria e Posaçme e cilëson grupin “Troplini” si një nga organizatat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas këtij vlerësimi, veprimtaria e tij shtrihet edhe në Itali, Gjermani, Holandë dhe në vendet e Amerikës Latine.
Më 21 maj 2025, SPAK njoftoi se kishte goditur një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës me bazë në Durrës. Një prej drejtuesve të saj ishte Elvis Doçi, i cili i shpëtoi arrestimit dhe u shpall në kërkim.
Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, ka lidhje familjare me Xhevdet Troplinin. Ky i fundit ishte hetuar nga drejtësia italiane në mesin e viteve 2000 për përfshirje të dyshuar në trafikun e drogës, ndërsa në Shqipëri nuk është ngritur asnjë akuzë ndaj tij.
Ergys Agasi, 39 vjeç, u shpall në kërkim në dhjetor të vitit të kaluar për dyshime mbi përfshirjen në krim të organizuar në skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI. Arrestimi i tij u krye tetë muaj më vonë, më 26 gusht, në zonën e Plepatit në Durrës, kur po kthehej nga Elbasani, ku kishte qëndruar për disa orë.
Provat e mbledhura gjatë hetimit tregojnë se, në muajt e arratisë, Agasi kishte lëvizur lirshëm nga vendi ku fshihej dhe kishte vijuar kontaktet me persona të botës së krimit të organizuar dhe funksionarë shtetërorë, kryesisht në Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Burime të informuara mbi çështjen thanë për BIRN se, edhe pse autoritetet merrnin shpesh të dhëna për vendndodhjen e Agasit, aksioni për arrestimin e tij nisi vetëm pas një sërë ndryshimesh në drejtimin e policisë, të cilat pasuan largimin e Ilir Prodës nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit.
Dyshimet për përfshirjen e shefes së shërbimit sekret, Vlora Hyseni, në mbrojtjen e Agasit gjatë qëndrimit të tij në kompleksin e grupit Troplini e kanë zgjeruar përmasën e skandalit.
Rasti ka ngritur pikëpyetje të forta mbi funksionimin e një prej institucioneve kryesore të sigurisë në vend dhe marrëdhëniet mes zyrtarëve të lartë dhe personave të lidhur me krimin e organizuar.
Të dhënat e dosjes hetimore të publikuara në media tregojnë se nga qershori deri në gusht të këtij viti, mes Hysenit dhe Agasit janë regjistruar mbi 500 komunikime telefonike, audio, video dhe mesazhe.
Në këto komunikime, ajo dyshohet se shfaqet drejtpërdrejt e angazhuar në mbështetje të interesave të Agasit përballë institucioneve të drejtësisë që po e hetonin.
Hyseni dyshohet jo vetëm se ishte e gatshme ta ndihmonte Agasin, por edhe se i vuri në dispozicion atij statusin e saj zyrtar dhe kapacitetet e institucionit që drejtonte.
Mesazhet e publikuara në media lënë të kuptohet se Hyseni, në shkelje të rëndë të detyrës, e njoftonte Agasin për takimet e saj me kryeministrin Rama, zyrtarë të lartë të shtetit dhe homologë të huaj.
Ndërkohë, në një automjet të Agasit të sekuestruar në korrik u gjetën nëntë printime të mëdha me diagrame dhe të dhëna të ngjashme me materialet që prodhohen nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Këto dokumente janë ende në proces verifikimi.
Gjatë dëshmisë së saj në Prokurori, Hyseni ka deklaruar se kishte komunikuar me Agasin pasi ai ishte paraqitur si “bashkëpunëtor”. SPAK e ka kundërshtuar këtë version.
Hetimi i SPAK ndaj Ergys Agasit sugjeron se ai ushtronte ndikim te disa zyrtarë të lartë të institucioneve kyçe. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në arrati, e ka akuzuar publikisht Agasin se vepronte si “një koordinatori” mes botës së krimit të organizuar dhe qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
