Bie në pranga dy bosët shqiptarë të drogës, mediat belge zbulojnë të shkuarën kriminale të Ballës dhe Vokshit

Mediat belge i kanë bërë jehonë arrestimit të dy shqiptarëve që cilësohen si bosët e kokainës. Sipas mediave, dy shqiptarë kanë qenë të dënuar më parë në Antuerp për kontrabandë kokaine dhe janë arrestuar në Shqipëri dhe Ekuador. Mirlind Balla u dënua me 5 vjet burg në organizatë me Frank Masmeijer, tregtari frutash Nezdet Vokshi u dënua me 7 dhe është ende në kërkim nga Holanda.

Sipas “Het Nieuwsblad”, ai u arrestua me kërkesë të Holandës. Nezdet Vokshi u arrestua në Peru në vitin 2012, me kërkesë të autoriteteve të Antwerpen. Në pritje të procedurës së ekstradimit, bosi i drogës u vendos në arrest shtëpie në Peru. Pasi gjyqtari kishte vendosur që ai mund të ekstradohej në Belgjikë, Vokshi u konstatua se ishte arratisur. Peruja nisi një hetim korrupsioni ndaj disa oficerëve të policisë që mund të kenë luajtur një rol të dyshimtë në mbikëqyrjen e arrestit shtëpiak. Rezultati i atij hetimi është i panjohur, sipas Het Nieuwsblad.

Vokshi ishte në Listën e Kuqe të Interpolit që nga 15 marsi pasi shërbimet hetimore gjetën vendndodhjen e tij. Sipas hetimeve ai ishte i arratisur që nga viti 2010 dhe fillimisht iku në Peru. 52-vjeçari u kap teksa drejtonte një kamion Ford në rrugën që të çon në urbanizimin e Ciudad Celeste, një zonë pranë rezidencës së tij në Villa Club.

Ai ndodhej në Ekuador me gruan dhe vajzën e tij që nga viti 2018, vit në të cilin ai kaloi nga Peruja në Ekuador përmes kufirit tokësor. Policia pas arrestimit sekuestroi edhe 6 celulare. Nga kërkimet e bëra Vokshi ishte regjistruar si tregtar frutash në Ekuador. Prej kohësh ai mundi t’i shpëtojë autoriteteve, ndërsa rezulton se ishte regjistruar po ashtu si tregtar edhe në Barcelonë, Spanjë.