Berisha: Vuçiç kërcënon Kosovën duke mbajtur konfliktin pezull

Ish-kryeministri Sali Berisha tha në Forumin e IX-të Global, në Azerbajxhan, se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po e mban pezull konfliktin që ka me Kosovën.  Teksa kujtoi vizitën e Vuçiç në veri të Kosovës para tre vitesh, Berisha theksoi se ky i fundit e tha haptas se Serbia do të zgjerohet e do bëhet më e madhe.

Sipas Berishës, Serbia nuk kërcënohet nga askush ndërsa për furnizimet me armë kineze e ruse, ish-kryeministri e sheh si shqetësim të madh.

“Tre vite më parë, Vuçiç vizitoi veriun e Kosovës, tre ditë në çdo takim u shpreh haptas se Serbia do zgjerohet dhe do bëhet më e madhe.

Millosheviç ishte lider i madh por kreu disa gabime, po ky president u betua para dy javësh para parlamentit duke u zotuar se do të mbronte sovranitetin e Serbisë përfshirë Kosovën.

Kjo do të thotë që konflikti të mbahet pezull, nëse qëndron kështu e mban konfliktin të vazhduar. Por nëse atje shkojnë armë ruse dhe kineze, në atë kohë që Serbia kërcënohet nga askushi, askush nuk e kërcënon serbinë sot, jam tërësisht i bindur, mendoj se kjo që po ndodh është shqetësuese.”-tha Berisha.