Berisha merr pjesë në homazhet për Arben Tafajn: Mirënjohje të thellë

Ditën e sotme, ish-kyeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë në homazhet në nder të Arben Tafajt, kryetar i Shoqatës “Tirana”, i cili humbi jetën ditën e djeshme, pasi ra nga një lartësi 10 metra në banesën e tij në rrugën e Dajtit.

Kreu i PD-së, u shpreh se mori pjesë në homazhe për të shprehur mirënjohjen më të thellë për Arben Tafajn, të cilin e konsideroi një qytetar shembullor i Tiranës.

Berisha theksoi se Tafaj ishte një njeri që kushtoi jetën dhe veprimtarinë e tij, mbrojtjes së vlerave të kësaj qytetarie.

“Erdha të shpreh mirënjohjen më të thellë për Arben Tafajn, një qytetar shembullor i Tiranës, një prind, bashkëshort shembullor. Një qeveritar vendor i ndershëm, i aftë, kompetent. Një parlamentar i kryeqytetit, i aftë, i ndershëm dhe një përfaqësues dinjitoz i qytetarisë së Tiranës.

Një njeri që i kushtoi jetën e vet, veprimtarinë e tij, mbrojtjes së vlerave të kësaj qytetarie dhe ishte pa diskutim një nga përfaqësuesit më dinjitoz të saj. I shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia familjes së nderuar Tafaj. Shpreh ngushëllime për të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë humbur një përfaqësues të shquar, për të gjithë miqtë, të afërmit e tij”, u shpreh Berisha.


Shtuar 4.12.2024 12:03