Rrëzohet një avion privat në Palm Beach County të Floridës, vdesin nëntë personat në bord

Nëntë persona humbën jetën kur një avion privat u rrëzua në një zonë të banuar të Palm Beach County, në Florida.

Mjeti fluturues, një Learjet 60, u rrëzua pranë Military Trail, midis Cresthaven Boulevard dhe 10th Avenue North. Pas goditjes në tokë, avioni mori flakë.

Të lidhura

None found

Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom, në Teksas, dhe po udhëtonte drejt Bahamas. Në bord ndodheshin gjithsej nëntë persona.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimit, të cituara nga CNN, tregojnë se avioni humbi rreth 27 mijë feet, mbi 8 mijë metra, lartësi brenda një minute. Gjurmimi u ndërpre pak më pas.

Në kohën e aksidentit, në zonë kishte stuhi të shpërndara. Sipas CNN, disa minuta para se të fillonte rënia e shpejtë, avioni kishte kaluar nëpër një zonë ku stuhia ishte më e fortë. Ende nuk dihet nëse moti pati ndikim në rrëzimin e tij.

Pamjet nga vendi i ngjarjes e tregojnë avionin duke zbritur me shpejtësi drejt tokës, para se të përplasej dhe të përfshihej nga flakët pranë zonës së banuar.

Presidenti amerikan Donald Trump ndodhej në West Palm Beach më herët gjatë së dielës. CNN raporton se ai ishte larguar me Air Force One pak më shumë se një orë përpara rrëzimit.

Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Ngjarja po hetohet nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).


Shtuar më 2.11.2026 00:01