Vendimi i qeverisë franceze për të nxjerrë në treg 10 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike ka sjellë ulje të çmimeve të karburanteve në vend.
Disa nga kompanitë kryesore të sektorit kanë bërë të ditur se do të ulin tarifat në pikat e tyre të shitjes, me synimin për të zbutur barrën financiare për konsumatorët.
Të lidhura
None found
Më 31 tetor, një litër naftë në Francë kushtonte mesatarisht rreth 2.37 euro. Pas njoftimit për përdorimin e rezervave strategjike, disa kompani vendosën të aplikojnë çmime më të favorshme.
TotalEnergies e ka çuar çmimin e naftës në stacionet Access në 2.15 euro për litër, rreth 10 cent më pak se në pikat e tjera të grupit. Kompania shpjegoi se masa synon t’u japë klientëve përfitimin nga rezervat strategjike pa pasur nevojë të presin mbërritjen fizike të tyre.
Ndërkohë, rrjeti i supermarketeve E. Leclerc njoftoi një ulje prej 21 centësh për litër në afërsisht 742 stacione në të gjithë Francën. Sipas kompanisë, zbritja do të përllogaritet çdo ditë dhe çmimet do të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Edhe Coopérative U ka bërë të ditur se do të ulë çmimin me 21 centë për litër, duke iu bashkuar përpjekjeve për të kufizuar ndikimin e kostove të larta të karburantit.
Qeveria franceze e kishte njoftuar në mesin e tetorit vendimin për lirimin e 10 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike kombëtare. Këto rezerva ishin siguruar përpara luftës në Lindjen e Mesme dhe po shiten me një çmim prej 0.28 euro për litër, ndërsa në mesin e tetorit çmimi mesatar ishte 1.10 euro për litër.






