Këtë të premte, në një konferencë për gazetarët nga selia blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar zgjedhjet e 11 majit, si një “farsë e paralajmëruar” e mbështetur sipas tij, nga struktura kriminale dhe korrupsioni qeveritar.
Ai theksoi vendimin e komunitetit ndërkombëtar të qendrës së djathtë, për të dënuar zgjedhjet 10 ditë përpara zhvillimit të tyre.
Sipas liderit të opozitës, ofrimi i 100 eurove për pensionistët para zgjedhjeve, është një provë flagrante e përpjekjeve të qeverisë për të manipuluar votën e lirë.
“Rezolutat ndërkombëtare kanë denoncuar publikisht shtetin e Ramës si sipërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar.
Ato janë njohur me qindra fakte të pakundërshtueshme, kanë konkluduar se shteti aktual është sipërmarrje e përbashkët me krimin. Kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë i dënoi me dënim kapital më 30 prill 2025 zgjedhjet që do të zhvilloheshin 10 ditë më vonë në Shqipëri.
Nuk di të ketë pasur më parë që një zgjedhje të dënohet 10 ditë para zhvillimit. E them sepse komuniteti ndërkombëtar nuk udhëhiqet nga paragjykimet, ose kur nuk ka siguri thotë ka dyshime. Këtu nuk ka thënë këtë gjë, ka deklaruar se Rama po blen vota me lekë. Kanë parë 100 euro që u dhanë për pensionistët. Kemi të bëjmë me një vdekje të paralajmëruar të procesit zgjedhor dhe paralajmërim të farsës zgjedhore”, u shpreh Berisha.