Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka humbur gjyqin kundër shpalljes së tij non grata nga Britania e Madhe. Berisha u shpall non grata nga Londra zyrtare më 22 korrik 2022.

Ish-kryeministri, humbi sot apelin e tij në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër kundër vendimit të Ministrisë e Punëve të Brendshme, “Home Office” që e ndalonte të hynte në Britani.

Vendimi i Britanisë, u dha pas pretendimeve për lidhjet e tij të dyshuara kriminale.

Ai apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në mars, duke argumentuar se u ndalua nga MB në bazë të pohimeve të rreme të paprovuara.

SIAC hodhi poshtë sfidën e Berishës në një vendim me shkrim këtë të hënë. Vendimi i Britanisë për të ndaluar Berishën nga vendi, erdhi një vit pasi ai u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion të dyshuar dhe abuzim me pushtetin.

Sali Berisha, përballet me akuza në Shqipëri se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte kryeministër midis viteve 2005 dhe 2009 për të favorizuar bashkëshortin e vajzës së tij në privatizimin e tokës shtetërore, të cilat ai dhe vajza e tij e mohojnë. Aktualisht Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.


Shtuar 17.06.2024 13:21