Medhi Benatia e ka dënuar mënyrën e ndarjes së Real Madridit me Xabi Alonson. Sipas tij, në futbollin e sotëm lojtarët kanë ndikim të tepruar dhe, kur lindin probleme në skuadër, përgjegjësia shpesh bie mbi trajnerin.
Në një intervistë për televizionin francez Canal+, ish-drejtori sportiv i Marseille shpjegoi se klubet zakonisht e kanë më të lehtë të largojnë një trajner sesa të merren me 15 futbollistë.
Të lidhura
None found
Benatia përmendi si rast konkret largimin e Alonsos nga Real Madridi, duke e cilësuar sjelljen e klubit ndaj trajnerit spanjoll të papranueshme.
“Kam luajtur me të. Pak skuadra kanë arritur ta dominojnë Bayern Munichun siç bëri ai me Bayer Leverkusenin. Ishte e pabesueshme! Real Madridi e largoi sikur të ishte një copë mbeturine”, tha Benatia.
Alonso u largua nga posti i trajnerit të Real Madridit në janar të vitit 2026, me marrëveshje të përbashkët, pasi kishte drejtuar ekipin për më pak se tetë muaj.
Më pas, ai vazhdoi karrierën si trajner në Angli: në muajin maj u emërua në krye të Chelseat dhe nënshkroi kontratë katërvjeçare.





