Behgjet Pacolli shkarkon administratorin e Aeroportit të Vlorës

Pas përplasjeve për aksionet e aeroportit të Vlorës, biznesmeni Behgjet Pacolli, ka vendosur të shkarkojë administratorin e shoqërisë koncesionare, Vlora International Airport, Valon Lluka.

Vendimi është marrë dy ditë më parë, në mënyrë të njëanshme, vetëm me votat e shoqërisë Mabco Construction sa e Pacollit, ndërkohë që aksioneri i minorancës, 2A Group, nuk ka qenë i pranishëm fare në mbledhje.

 

 

Shkarkimi i administratorit te shoqerise VIA

Aeroporti i Vlorës është përfshirë nga një skandal i madh publik, teksa dy aksionerët po përplasen publikisht për aksionet.

Kompania 2A Group, e cila zotëron 2 për qind të aksioneve në këtë koncesion pretendon se asaj i takojnë 47 për qind të aksioneve, sipas një marrëveshje të fshehtë që palët kanë firmosur në vitin 2022, që u bë publike nga gazetari Mero Baze.

Por ky variant nuk pranohet nga Mabco Construction, e cila sot zotëron 98 për qind të aksioneve të aeroportit.

Skandali i Aeroportit të Vlorës shpërtheu pas një investigimi të Kapitalit. Fillimisht biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli, u mundua ta përgënjeshtrojë investigimin e Kapitalit, por vetëm një orë më vonë çështja shpërtheu publikisht, teksa aksioneri i minorancës, Valon Ademi e akuzoi Pacollin për mashtrues.

Nuk dihet nëse shkarkimi i Valon Llukës nga posti i administratorit të Aeroportit, ka lidhje me luftën e ashpër mes dy aksionerëve.

Por sherri mes Pacollit dhe Valon Ademit, duket se ka krijuar një problem shumë të madh në aeroportin e Vlorës, të cilin kryeministri Rama kishte premtuar se do ta hapte për sezonin turistik të këtij viti./Kapitali.al