Befason Karlo Bolino: Berisha duhet të jetë në Kuvend, nuk mund t’i shkelen të drejtat se do Amerika

Një nga gazetarët më afër Ramës, botuesi italo-shqiptar Karlo Bollino ka surprizuar me një shkrim botuar në gazetën e tij “Shqiptarja”.

Bollino shkruan se më 10 shtator ai ka të drejtë të jetë në Kuvend sepse nuk është dënuar nga asnjë gjykatē.

“Nuk mund të pranohet që në një demokraci, një qytetar i zgjedhur, cilido qoftë, të përjashtohet nga Kuvendi me vendim të dikujt tjetër, që nuk është zgjedhësi” – thotë gazetari dhe shton:

“Zgjedhjet e 25 prillit konsiderohen nga Institucionet shqiptare dhe nga komuniteti ndërkombëtar plotësisht të ligjshme. Fakti që edhe PD dhe ajo që mbetet nga LSI, kanë pranuar të ulen në parlament, konfirmon që përtej retorikës së tyre dhe të akuzave që vazhdojnë të lëshojnë, edhe vetë opozita e njeh rezultatin.

Pra, përfundimi i parë që duhet të nxjerrim është se Sali Berisha, njësoj si 139 deputetët e tjerë, është zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe askush nuk mund ta vërë në diskutim këtë“, shkruan ai.

Madje Bollino mendon se shpallja non grata nga SHBA është imponim dhe Saliut nuk mund t’i shkelen te drejtat kushtetuese se do Amerika:

“Do të ishte shumë e rëndë nëse një deputet, cilido qoftë, të detyrohej të linte detyrën e tij si pasojë e një vendimi të jashtëm, përfshi edhe atë të kryetarit të partisë së tij.

Akoma më e pabesueshme nëse një përjashtim i tillë të mund të imponohej apo edhe vetëm të kërkohej nga një Shtet tjetër, qofshin këto edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerë strategjikë dhe të pazëvendësueshëm të vendit.

Ndalimi administrativ për të hyrë në një shtet tjetër, nuk mund të transformohet as për Sali Berishën në shkelje të të drejtave të tij kushtetuese në vendlindje”, shkruan gazetari afër qeverisë./albeu.com