Basha thirrje socialistëve: Bashkohuni me ne

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur Librazhdin në vijim të takimeve të tij elektorale. Basha është pritur nga qindra simpatizantë në qendër të qytetit.

Kreu i demokratëve ka vijuar ecjen me ta përgjatë bulevardit, ndërsa nuk kanë munguar thirrjet për fitore dhe “Rama ik”.

Basha tha para mbështetësve se e prek kudo entuziazmin dhe dëshirën për ndryshim. Teksa i ftoi të gjithë të shkojnë pasivisht në kutitë e votimit, kreu i demokratëve një thirrje të veçantë kishte edhe për ata që i cilësoi si socialistët e ndershëm të Librazhdit. Duke iu drejtuar këtyre të fundit, Basha u kërkoi të bashkohen me ta për ndryshimin.

“Mirë se ju gjej. Nga zemra faleminderit për këtë pritje. Të renja dhe të rinj të Librazhdit, vëllezër dhe motra kudo ku kam shkuar këto javë, nga jugu në veri një gjë është e qartë, shqiptarët janë të etur për ndryshim. Mezi po presin datën, kur vota e shqiptarëve të bashkuar do të bëjë të mundur ndryshimin e vërtetë për të gjithë. 25 prilli nuk është dita e politikanëve është dita e popullit, është dita kur ju do të vendosin me votën tuaj, për familjet tuaja për të zgjidhur hallet që ju janë bërë kapicë. Për të hequr nga qafa lakun e varfërisë, për të ndalur largimin e rinisë së Librazhdit.  Në ditët e diktaturës iu dha shqiptarëve shembujt. E ndjej dhimbjen tuaj për fëmijët që ju largohen. Për mua është emocion i madh ta shoh Librazhdin kështu. Ju thashë, shqiptarët janë të etur për ndryshim. Askund nuk ndihet më shumë etja se kur je në shkretëtirë. Këto tetë vite e shndërruan Librazhdin në shkretëtirë. Thirrje të veçantë kam sot i shkon socialistëve të ndershëm të Librazhdit ata që nuk i lidh gjë me hajdutët e Librazhdit. Ndoshta kanë besuar te premtimet dhe sot janë të zhgënjyer. Bashkohuni me ndryshimin,” tha Basha para demokratëve të Librazhdit./albeu.com/


Shtuar 11.04.2021 16:17