Banorët dhe aktivistët e Maliqit kanë zhvilluar protestën e radhës kundër planit të riorganizimit territorial, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Korçës. Sipas tyre, kjo nismë rrezikon të ardhmen administrative, ekonomike dhe përfaqësimin e komunitetit lokal.
Gjatë tubimit u shpreh shqetësim edhe për pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në shesh. Organizatorët e lidhën mungesën e tyre me frikën dhe presionin që, sipas tyre, ushtrohet ndaj banorëve nga strukturat e pushtetit.
Të lidhura
None found
Protestuesit u bënë thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos qëndrojnë të heshtur përballë ndryshimit të propozuar. “Shkrirja e Bashkisë Maliq do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e qytetit dhe të banorëve tanë. Mos të heshtim përballë këtij vendimi! Banorët duhet të kapërcejnë frikën dhe të dalin publikisht kundër ndryshimit të propozuar territorial”, u deklarua gjatë protestës.
Akuzat e banorëve u drejtuan ndaj drejtuesve vendorë dhe deputetëve politikë që mbulojnë këtë zonë. Përfaqësuesit e komunitetit kërkuan që ata të dalin publikisht dhe të sqarojnë nëse e mbështesin apo e kundërshtojnë heqjen e Maliqit nga harta si bashki më vete.
Aktivistët paralajmëruan se protesta e zhvilluar nuk do të jetë aksioni i fundit. Ata thanë se do ta vijojnë rezistencën opozitare dhe qytetare në terren, përmes protestave të tjera gjatë ditëve në vijim.
