Balluku kërkon lehtësim të masave, Apeli i GJKKO tërhiqet për vendim

Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), është tërhequr për të marrë vendim lidhur me kërkesën e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe të dy vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, për heqjen e masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre.

Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në seancë, ndërsa u përfaqësua nga dy avokatët e saj. Ndërkohë, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, u paraqitën në gjykatë të shoqëruar nga përfaqësuesit e tyre ligjorë.

Ankimi i tyre do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila pritet të shpallë vendimin në vijim.

Ndaj Belinda Ballukut rëndojnë akuza për shkelje të barazisë në tenderë, lidhur me procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë rreth 210 milionë euro, si edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, për të cilat janë prokuruar rreth 450 milionë euro.

Hetimet për këto çështje janë në vijim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).


Shtuar 18.12.2025 14:28