Atletja bjelloruse kërkon strehim tek Ambasada e Polonisë në Tokio

Vrapuesja olimpike bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, planifikon të kërkojë azil në Poloni pas akuzave se zyrtarët e ekipit të saj provuan ta kthejnë me forcë në shtëpi, ku ajo thotë se ndihet e rrezikuar pas një fushate të ashpër kundër saj në shtypin shtetëror. Ajo u përjashtua nga ekipi pasi kritikoi për neglizhencë drejtuesit e ekipit olimpik.

Një ditë pasi refuzoi të fluturonte drejt vendit të saj nga aeroporti i Tokios, atletja bjelloruse Krystsina Tsimanouskaya mbërriti në ambasadën e Polonisë duke kërkuar ndihmë, pasi siç tha ajo, udhëheqësit e ekipit bjellorus u përpoqën ta kthenin në shtëpi pa vullnetin e saj.

Ministria e Jashtme e Polonisë njoftoi se sportistes iu dha vizë humanitare. Të mërkurën ajo udhëton drejt Varshavës.

Duket se problemet filluan pas disa kritikave që atletja bëri në rrjete sociale për drejtuesit e ekipit, gjë që shkaktoi një reagim të ashpër në shtypin shtetëror në Bjellorusi, vendi ku autoritetet godasin pa pushim kritikët e qeverisë.

Ajo tha se u përjashtua nga ekipi, pasi kritikoi në Instagram neglizhencën e trajnerëve bjellorusë, të cilët, ajo thotë se e detyruan të futej në stafetën e 400 metrave, një garë për të cilën ajo nuk ka qënë e përgatitur, pasi zbuluan se disa anëtarë të tjerë të ekipit bjellorus u përjashtuan nga gara për përdorim dopingu.

Qeveria autoritare e Bjellorusisë shënjestroi këdo që shprehu pakënaqësi për zgjedhjet presidenciale të para një viti, që shkaktuan një valë masive dhe të paparë protestash në këtë vend.

Autoritetet ndërmorrën veprime të ashpra për të ndaluar kritikët e qeverisë, përfshirë uljen e detyruar të avionëve, që zyrtarët evropianë e quajtën akt të piraterisë ajrore.

Ajo kishte të drejtë të ishte e frikësuar për fatin që e priste në Bjellorusi në se do të kthehej, thotë nga Lituania, drejtori i Fondacionit Sportiv të Solidaritetit Bjellorus, Alexander Opeikin.

“Po, kthimi i saj në Minsk ishte i rrezikshëm sepse ajo e kupton që ata janë nën presion. Ata mund ta detyrojnë dikë të bëjë atë që duan, prandaj Krystsina Tsimanouskaya vendosi të kërkojë mbështetje ndërkombëtare nga Ambasada e Polonisë“, tha Alexandër Opeikin nga Fondacioni Sportiv i Solidaritetit Bjellorus.

Nisur nga serioziteti i akuzave, disa grupe dhe vende thonë se po e ndihmojnë atleten.

Ajo mori mbështetje edhe nga bjellorusë që jetojnë në Tokio.

“Sepse ajo mund të ndihet e humbur, e vetme në Tokio. Ndoshta i duhet shoqëruese ose një vend për të qëndruar”, thotë Natalia, muzikante bjelloruse në Tokio.

Kërkimi i azilit nga sportistët gjatë aktiviteteve ndërkombëtare nuk është diçka e re.

Kjo ndodhte shpesh, veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë, por herë pas here edhe gjatë dekadave më vonë.

Rreth 117 atletë u larguan nga Lojërat Olimpike të Mynihut më 1972, sipas raporteve të asaj kohe.

Të paktën katër rumunë dhe një sportist sovjetik u larguan nga Lojërat e Montrealit më 1976. E njëjta praktikë është shfrytëzuar shpesh edhe nga altetët kubanë./VOA


Shtuar 2.08.2021 23:40