Atentate me eksploziv, armë e zhdukje pa gjumë, përplasja e përgjakshme mes fiseve në Shkodër që i mori jetën Mustafës

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme Shkodrën ku u gjet pa jetë një ri në zonën e Livadheve, një zonë tashmë e njohur për krimet në Shkodër.

I riu, Endri Mustafa u gjet i dhunuar e më pas i vrarë me 7 plumba, në gojë, kokë e në gjoks në këtë zonë, ndërkohë familja e kishte shpallur të zhdukur prej 3 ditësh.

Viktima është një emër i njohur për policinë dhe lidhjen e tij me vëllezërit Bilali, të ekzekutuar në të njëjtin vend rreth 2 vite më parë.

Për krimin e rëndë u vunë në pranga dy të rinj si bashkëpunëtor, ndërkohë autori, Ibrahim Lici, ende është në kërkim për këtë vrasje të bujshme me dy viktima.

Sot policia e Shtetit reagoi zyrtarisht duke shpallur në kërkim Ibrahim Licin, edhe për vrasjen e Endri Mustafës, 2 vite pas vrasjes së vëllezërve Bilali.

Lidhja e Endri Mustafës me vëllezërit Bilali:

Endri Mustafa është arrestuar në qershor të vitit 2016 pas një grabitje me dhunë dhe me armë, e cila ka përfunduar me prangosjen e katër grabitësve, ndërsa dy të plagosur të tjerë, viktima të grabitjes, kanë përfunduar në spital. Edhe më herët ka qenë i dënuar për plagosje me armë.

Policia e Shkodrës menjëherë pas ngjarjes ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Livadhet” dhe kanë arrestuar në flagrancë 4 persona; Endri Mustafa i cili u gjet sot i vrarë, Ardit Torishta, Bekim Torishta, Astrit Bilali, Ibrahim Bilali dhe minoreni S.B.

Ndërkohë vetëm 3 vite më pas, në 30 mars 2019, dy vëllezërit Bilali, të cilët u arrestuan në atë kohë së bashku me viktimën e sotme Endri Mustafa, u ekzekutuan me armë në lagjen Kiras. Endri Mustafa është kështu personi i tretë, i cili ekzekutohet pas përfshirjes së asaj grabitje të qershorit 2016 e cila përfundoi në një luftë të vërtetë me 6 të plagosur.

Nga ana tjetër kujtojmë se miqtë e viktimës, Bilalët rezultojnë të përfshirë në një spirale gjakmarrje me fisin Liçi në Shkodër.

Vrasja e vëllezërve Bilali:

Astrit dhe Brahim Bilali u qëlluan sipas policisë në hyrje të shtëpisë së tyre. Autorët që dyshohet se kanë përdorur maska, qëlluan nga një makinë në lëvizje duke vrarë të dy vëllezërit. Pak minuta më vonë policia gjeti të djegur makinën që dyshohet se u përdor në krim.

“Me datë 30.03.2019, rreth orës 09:45, në lagjen “Guerile” në vendin e quajtur “Zooteknika”, nga persona ende të pa identifikuar janë vrarë me armë zjarri shtetasit  A. B. 59 vjeç dhe B. B., 61 vjeç (vëllezër)”, thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.

Viktimat, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit i arrestuar si i dyshuar se është pjesë e grupit kriminal “Bajri” i goditur nga policia në shtator 2018, ishin të njohur në Shkodër pasi merreshin me hipizëm.

Atentati ka ndodhur sipas një skenar që është përsëritur disa herë në Shkodër, ndërsa dyshohet se krimi është vijim i një përplasje të dhunshme mes fiseve “Bajri” dhe “Lici”.

Policia bëri me dije se makina e dyshuar se ishte përdorur në krim është gjetur në të njëjtën zonë, pranë shtëpisë së grupit rival, ku u braktis muaj më parë motorri që u përdor në vrasjen e tregtarit Fatos Ferracaku.

Përplasja e përgjakshme e grupeve Bajri dhe Lici:

Përplasja mes dy grupeve që bashkë me dy viktimat e të shtunës mendohet se ka sjellë 8 viktima, besohet se filloi qershor 2017 pas një atentati me eksploziv ku u plagosën 7 persona.

Vrasjet u pasuan me ekzekutimin e një ish-oficeri policie Boran Berçama dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci, zhdukjen e dy personave dajë e nip, vrasjen e Fatbardh Licit i dënuar më herët për vrasje, dhe krime të tjera për të cilat ende nuk ka autorë të ndaluar apo të akuzuar.

Disa muaj më parë në nëntor 2018 në pazarin e Shkodrës u qëllua për vdekje Fatos Ferracaku, më herët ishte vrarë kushuriri i tij Arjan Ferracaku.

Në shtator të vitit të shkuar, pas fillimit të serisë së krimeve, policia ndërhyri duke arrestuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal “Bajri”. 12 persona përfshi Astmer Bilalin, djali dhe nipi i viktimave të atentatit të së shtunës, u arrestuan në Shqipëri, Hollandë, Belgjikë e Spanjë.

Policia e prokuroria lanë të kuptohej në njoftimet pas arrestimeve se veç një morie akuzash përfshi vrasje të pazbardhura të viteve 2000 dhe trafik narkotikësh, grupi ishte përfshirë edhe në krimet e fundit në Shkodër.

Asnjë nuk është akuzuar zyrtarisht për vrasjet e fundit, megjithëse besohet se krimet janë vijim i përplasjes mes dy grupeve vetëm njëri prej tyre u godit dhe anëtarët e tij u arrestuan. /albeu.com/

 


Shtuar 18.05.2021 10:22