Arrihet marrëveshja për pensionet me Italinë, do të nënshkruhet te martën nga Hasani dhe Tajani

Pritja për njohjen e sigurimeve shoqërore për mijëra emigrantë shqiptarë të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali do të marrë fund shumë shpejt.

Shqipëria dhe Italia do të finalizojnë të martën marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributeve për sigurimet shoqërore, nga e cila do të përfitojnë edhe të gjithë ata italianë që jetojnë në vendin tonë.

Marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe homologu i tij shqiptar, Igli Hasani gjatë vizitës dy ditore që ky i fundit do të zhvillojë të hënën dhe të martën në Itali.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona.

Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.

Janë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, që pritet të përfitojnë nga njohja e sistemit të pensioneve mes dy shteteve.

Pas firmosjes, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në Kuvendet respektive.