Arrestohet në Kosovë i dënuari me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”

I dënuari me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, në Maqedoninë  e Veriut, Afrim Ismajloviq është arrestuar dje në Kosovë.

Pas një aksidenti trafiku të ndodhur në Hajvali të Prishtinës, Ismajloviq u ftua për intervistim në stacionin policor. E pas verifikimit të kaluarës penale, Ismajloviqit i figuroi një urdhër-arrest nga shteti fqinj. Kjo bëri që ai nga prokurori të ndalohet për 48 orë.

Avokati i tij Besnik Berisha ka thënë për Express se ky urdhër-arrest ishte i viteve 2012/2013.

“Arrestimi i tij ka ndodhur dje në orët e pasdites. Ka qenë i rastësishëm si pasojë e një aksidenti trafiku. Përderisa ai është ftuar në stacionin policor për intervistim, sipas procedurave zyrtarët policorë kanë bërë verifikimin nëse i njëjti është i kërkuar edhe për ndonjë vepër tjetër penale, dhe i është shfaqur një urdhër arrest i vitit 2012/2013 i lëshuar nga Maqedonia e Vetiu”, ka thënë avokati Berisha.

Më tutje avokati i Ismajloviqit theksoi se për të njëjtën vepër penale klienti i tij ishte gjykuar më parë dhe se tani ishte në pritje të përfundimit të procedurave për strehim dhe azil në Kosovë.

“Për këtë urdhër-arrest dikur Ismajloviqi dhe një qytetar tjetër ishin arrestuar në Kosovë, paraburgosur, gjykuar me qëllim të ekstradimit, dhe Gjykata Themelore në Prishtine dhe ajo e Apelit e kishin refuzuar ekstradimin. Që atëherë Afrim Ismajloviqi ka qenë i lirë në Kosovë, natyrisht i është nënshtruar edhe procedurave për strehim, azil. Ka qenë në pritje të konfirmimit. Polici ka qenë i pa informuar për procedurat e ekstradimit dhe e ka njoftuar prokurorin”, tha më tutje Berisha.

E arrestimi i tij dhe ndalimi nga Policia  e Kosovës, sipas Berishës është i kundërligjshëm.

“Dje e njoftova edhe prokurorin se kemi të bëjmë me një arrestim të kundërligjshëm. Mësova që çështja nga Prokuroria Themelore ka kaluar në atë Speciale. Deri më tani pasi nuk e kanë liruar besoj që do të bëjnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgim, e që kjo kërkesë nuk duhet miratuar për shkak që ai është gjykuar për veprën e njëjtë”, ka thënë ai.

Arrestimin e tij për Express e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

” Më 1 prill, rreth orës 15:00 në bazë të urdhëresës ndërkombëtare është arrestuar i kërkuari mashkull shtetas i Maqedonisë dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes. Rasti do të trajtohet bazuar në procedurat e parapara për raste të tilla në koordinim me institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Express.

Në ndërkohë Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22: 30 të 12 prillit nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.

Ky akt kishte nxitur më pas pakënaqësi e protesta të shumta që ishin përshkallëzuar në dhunë rrugëve të Shkupit nga banorët lokalë të komunitetit maqedonas, të cilit kishin sulmuar bashkëqytetarët e tyre.

Protesta janë organizuar edhe nga familjarët e shqiptarëve të akuzuar duke mohuar që këtë vepër të rëndë ta kenë bërë të afërmit e tyre, ndërsa edhe tani pretendojnë se rasti është i kurdisur nga shërbime sekrete për qëllime të klasës politike që ishte në atë kohë në pushtet./Express/

Shtuar 2.04.2021 06:04