AMP arreston efektivin e “Shqiponjave” pas aksidentit fatal në aksin Tiranë-Rinas

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar punonjësin e Policisë I.T., pjesë e Forcave “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën dyshimin se ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, shkelje që dyshohet se i mori jetën një 66-vjeçari.

Ngjarja ndodhi më 15 tetor 2026, rreth orës 00:45, në rrugën Tiranë–Rinas, pranë kryqëzimit të fshatit Domje. Automjeti i drejtuar nga efektivi u përplas me një biçikletë. Për pasojë, drejtuesi i biçikletës, shtetasi S.M., 66 vjeç, ndërroi jetë në vendin e aksidentit.

Të lidhura

None found

Pas përplasjes, policit iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili rezultoi negativ, me nivelin 0.0 mg/l.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, AMP arrestoi punonjësin e policisë, i cili dyshohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Hetimet vijojnë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.


Shtuar më 15.10.2026 18:21