Këtë të mërkurë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila paraqiti letrat kredenciale.
Presidenti Begaj, i uroi ambasadores suksese në detyrë dhe vlerësoi rolin e Delegacionit të BE-së në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit, si dhe në mbështetjen e procesit të integrimit.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, u diskutua ecuria e negociatave dhe zbatimi i reformave të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.
Presidenti deklaroi se vendi ka hyrë në një fazë të avancuar të procesit, ndërsa kërkoi vijimin e luftës kundër korrupsionit dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Kreu i shtetit e cilësoi reformën në drejtësi, si një nga dëshmitë kryesore të angazhimit të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane.
Gjithashtu, në takim u evidentua edhe harmonizimi i plotë i Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Duke iu drejtuar ambasadores Moreira de Sousa, Begaj shprehu bindjen se deri në përfundim të mandatit të saj, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.




