Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pritur në një takim ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i ka dorëzuar progres-raportin e Komisionit Evropian.
Gjatë takimit, kreu i shtetit rikonfirmoi synimin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në 2027 dhe anëtarësimin në BE në 2030.
Të lidhura
None found
Njoftimi nga Presidenca
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Presidenti i Republikës e vlerësoi progres-raportin e këtij viti si dëshmi të avancimit në procesin e integrimit dhe si një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit historik të anëtarësimit të vendit tonë në BE.
Kreu i Shtetit i përcolli Ambasadores evropiane mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikat pro zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj rikonfirmoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirinë e medias.
Kreu i Shtetit ritheksoi se respektimi i sundimit të ligjit, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten thelbësore për realizimin e objektivit strategjik të integrimit evropian.








