Pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, thotë se folën për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Hovenier thotë se nuk mund të deklarojë se ka një marrëveshje me Kurtin se si duhet të ndodhë çtensionimi i situatës, megjithatë tregon kërkesën që ia kanë bërë Kurtit.
“Kemi marrëveshje se deeskalimi duhet të ndodhë, por nuk e di se a mund të them se ka marrëveshjes se si duhet të ndodhë ai. Çfarë mund të them është se çfarë SHBA-ja po kërkon është ajo se ne besojmë se nuk është e nevojshme për kryetarët e zgjedhur që të punojnë çdo ditë nga ato objekte [komuna]. Në fakt, ne rekomandojmë që për një afat të shkurtër, kjo të mos ndodhë”, ka thënë ai.
Hovenier, i pyetur për përgjigjen që mori nga Kryeministri Kurti, tha se nuk i takon atij të flasë në emër të shefit të Qeverisë, porse ai mund ta japë vetëm qëndrimin e SHBA-së.
Ai tutje ka thënë se siç është bërë betimi i kryetarëve të rinj shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit në objekte alternative, duhet të vazhdojë edhe puna e tyre.
Në fund, ai i ka dënuar sulmet ndaj automjeteve zyrtare të KFOR-it, të Polciisë së Kosovës dhe të ekipeve mediale, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. /Express/