Ambasada e SHBA-së në Tiranë në ‘Facebook’ njofton se ka mirëpritur sot të ngarkuarin e ri me Punë, David Wisner dhe familjen e tij.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Wisner tha se është një nder për të që të shërbejë në Shqipëri dhe të mësojë më shumë për historinë dhe kulturën e saj.
Postimi i plotë:
Ekipi i Ambasadës së SHBA në Tiranë priti sot në Shqipëri të Ngarkuarin e ri me Punë, David Wisner dhe familjen e tij.
Wisner tha se është një nder të shërbejë në Shqipëri dhe ai pret me kënaqësi të mësojë më shumë për historinë dhe kulturën e saj të jashtëzakonshme. Ambasada do të vazhdojë të ndërtojë partneritetin e saj me Shqipërinë për të çuar përpara demokracinë, mbrojtjen dhe lidhjet e biznesit.
David Wisner filloi detyrën e tij si Zëvendës Shef i Misionit dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë në gusht 2023.
Ai ka shërbyer më parë si Drejtues i Zyrës së Sigurisë Globale Ushqimore në Departamentin e Shtetit dhe para kësaj si Zëvendes Drejtor për Shtypin dhe Komunikimet Strategjike dhe si Zëdhënës në Byronë e Lindjes së Mesme. Ai ka shërbyer gjithashtu si Ndihmës i Posaçëm i Këshilltares së Departamentit të Shtetit Kristie Kenney, të cilën e ka këshilluar mbi çështjet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. David ka drejtuar Seksionin Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA në Algjer, Algjeri dhe ka shërbyer në seksionet politike në Ambasadat e SHBA në Khartum, Sudan dhe Bangui, Republika e Afrikës Qendrore.
David flet arabisht dhe frëngjisht dhe është diplomuar në Middlebury College në Vermont.