A përbëjnë UFO-të kërcënim? Pentagoni përgatit raportin (VIDEO)

Videot e pilotëve të marinës amerikane që ndjekin objekte fluturuese me aftësi të mahnitshme ka vënë në lëvizje Pentagonin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble i hedh një vështrim misterit të fundit të UFO-ve.

Kur bëhet fjalë për UFO-të, zyrtarët amerikanë zakonisht nuk komentojnë. Por kjo po ndryshon.

Në një video të marrë nga një avion i marinës amerikane, dëgjohet ekuipazhi që reagon ndaj asaj që duket të jetë një objekt që fluturon me shpejtësi të lartë dhe në mënyra mahnitëse.

Videoja vjen nga një grup secret pune në Pentagon i ngritur në vitin 2007 dhe i ngarkuar me mbledhjen dhe analizimin e rasteve të tilla që tani njihen si Fenomene Ajrore të Paidentifikuara ose UAP.

Pasi tre video dolën në mënyrë të paautorizuar dhe u postuan në internet, Pentagoni konfirmoi në vitin 2020 se ato janë regjistrime autentike të bëra nga personeli i marinës.

Ky fakt i ka bënë zyrtarët në nivelet më të larta të qeverisë t’i trajtojnë hapur UFO-të dhe me një urgjencë të re, përfshirë një ish-president.

“Ka pamje filmike dhe regjistrime të disa objekteve në qiell që ne nuk i dimë saktësisht se çfarë janë. Nuk mund të shpjegojmë lëvizjen dhe trajektoren e tyre”, thotë ish presidenti Obama.

Pentagoni pritet të publikojë një raport në fund të qershorit duke i siguruar Kongresit dhe publikut një analizë për UFO-të me të dhëna të grumbulluara nga agjenci të shumta qeveritare.

“Ka objekte që fluturojnë mbi instalimet e sigurisë kombëtare, nuk e dimë çfarë janë, nga vijnë, nuk janë tonat. Duhet ta zbulojmë këtë të panjohur”, thotë senatori Marco Rubio.

Kanë kaluar 70 vjet që kur Pentagoni filloi analizën e tij të parë për UFO-të.

Në dekadat e fundit, ka pasur pak njohje zyrtare të fenomenit megjithëse rastet kanë vazhduar. Ato shpesh hulumtohen nga grupet e qytetarëve.

“Ne kemi studiuar UFO-të gjatë gjithë këtyre viteve dhe pothuajse të gjitha provat kanë ardhur nga dëshmitarë. Është e kuptueshme që dëshmitë e tyre janë emocionuese. Jam bindur vite më parë dhe vazhdoj edhe sot. Por kanë qënë thjesht dëshmi të njerëzve dhe duhet diçka përtej kësaj. Kjo është arsyeja pse videot e marinës dhe të gjitha të dhënat janë kaq emocionuese”, thotë Mark Rodeghier me Qendrën për Studimin e UFO-ve.

Një nga incidentet më të spikatura ndodhi në brigjet e Kalifornisë. Radari i një aeroplanmbajtëse amerikane filloi të diktonte objekte të shumta që lëviznin në mënyrë të pazakontë. Dy avionë F18 u dërguan për të hetuar ngjarjen.

Të dy pilotët dhe shokët e ekuipazhit të tyre përshkruan një takim 5-minutësh me një objekt fluturues në formë cilindrike që nuk “lëvizte sipas ligjeve normale të fizikës”. Pasi objekti u zhduk papritur, ai u rishfaq në radar 60 milje larg ku një pilot i tretë bëri këtë regjistrim.

Objektivi i raportit të Pentagonit është të përcaktojë nëse objekte të tilla përbëjnë kërcënim, por disa vëzhgues shpresojnë që studimi të shkojë edhe më tej në kërkim të përgjigjeve për shumë pyetje.

“Kjo është me të vërtetë pika që ne në terren gjithmonë kemi thënë: ekziston një fenomen i vërtetë, ai meriton një studim serioz. Çfarëdo qoftë ky fenomen, meriton një studim serioz”, thotë Mark Rodegheier me Qendrën për Studimin e UFO-ve./VOA


Shtuar 27.05.2021 16:58

Tags: ,