Deputetja e opozitës, Flutura Açka gjatë raportimit vjetor të kreut të SPAK, Altin Dumanit, e ka pyetur këtë të fundit, nëse ka frikë se ndaj tij po organizohet një puç për t’i prerë krahët nga njerëz që nuk pëlqejnë faktin që ai është në piedestal.
“A keni frikë mos po organizohet një puç për t’ju prerë krahët dhe për t’ju hequr ca pende nga disa që nuk pëlqejnë që ju jeni në piedestal” ishte pyetja e Açkës.
Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke mos i qenë i qartë me pyetjen theksoi se ky institucion është tërëisht i pavarur.
“Nuk e di çfarë keni parasysh me këtë pyetje. Dua të them që SPAK është një institucion i pavarur dhe korniza e tij kushtetuese garanton pavarësinë e institucionit. Parlamenti pastaj është çështje e vlerësimit të parlamentit. Nuk mund të komentoj veprimtarinë e një institucioni sikurse është Kuvendi” u përgjigj Dumani.
Duke treguar se merr shpesh kërcënime, Dumani u shpreh se fokusi i punës së tij dhe SPAK-ut është hetimi i të gjitha rasteve.
“Ajo që unë bëj është që të përpiqemi të hetojmë çështje të suksesshme për ti demonstruar publikut dhe Kuvendit që SPAK po kryen detyrat e veta, po ushtron veprimtarinë kushtetuese, me synim përmbushjen e qëllimit për të cilin u krijuar. Është një luftë që nuk mbaron, por ne po përpiqemi me hapa të ngadaltë, por të sigurt” shtoi ai.