A do hyjnë në Qeveri, flet Afrim Gashi

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në një intervistë për gazetën “Politika” ka folur për pozitën aktuale të partisë së tyre dhe mundësisë për të hyrë ne Qeveri.

“Së bashku me katër deputetët tanë, nga formimi i kësaj shumice parlamentare, ne jemi një aktor i rëndësishëm në skenën politike. Gjithsesi, roli ynë është bërë më i rëndësishëm me ngjarjet e fundit, kur numrat nuk mundësuan shumicë të re, as funksionim normal të Kuvendit, e as zgjedhje të reja parlamentare”, theksoi Gashi.

Lidhur me negociatat për hyrje në Qeveri, kreu i Alternativës thotë se nëse LSDM dhe BDI duan vetëm katër deputetët dhe votat e tyre dhe nuk kanë përcaktime programe dhe nëse nuk janë të gatshëm të vendosin barazi mes aktorëve politik në pushtet, atëherë ato nuk kanë interes të hyjnë në Qeveri.

“Për këtë unë nuk mund të prejudikoj rezultatin. Dua të theksoj se po negociojmë me kryeministrin aktual dhe atë të ardhshëm, dhe jo me partitë tjera të kyçura në këtë qeveri”, theksoi Gashi.

Ai shtoi se si subjekt do të udhëhiqen nga pritshmëritë e tyre, interesat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut si dhe interesat shtetërore.

“Nëse në negociatat shohim se Zaev me të vërtetë ka dëshirë të shpëtojë shtetin nga ky ngërç, do të përpiqemi t’i ndhmojmë. Thellë jemi të interesuar për vazhdimin e kursit euroatlantik të vendit, për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe për stabilitetin ekonomik e politik”, theksoi Gashi. /INA/


Shtuar 26.11.2021 17:45