8 të vdekur nga zjarret në Turqi

Tetë persona kanë vdekur si rezultat i më shumë se 100 zjarreve përgjatë bregdetit jugor të Turqisë, ndërsa zjarrfikësit të mbështetur nga helikopterët luftojnë me zjarret që kërcënojnë disa nga zonat kryesore turistike të vendit.

Banorët dhe pushuesit në destinacionet turistike të Antalias dhe Muglas u evakuan me anije të vogla. Roja bregdetare dhe dy anije të marinës u vendosën pranë bregdetit në rast se do të nevojiten evakuime më të mëdha.

Moti i nxehtë dhe erërat e thata në Evropën jugore kanë ndihmuar zjarret në rajonin e Mesdheut, përfshirë Siçilinë në Itali dhe rajonin e Egjeut.

Por Turqia është goditur veçanërisht rëndë. Autoritetet turke thonë se shumica e zjarreve janë vënë nën kontroll. Por disa vendpushime mbeten të kërcënuara dhe me temperaturat që parashikohen të arrijnë në nivele rekord në ditët në vijim, beteja duket se nuk ka përfunduar.

Dy zjarrfikës vdiqën të dielën, njoftoi kanali CNN, që citoi Ministrinë Turke të Bujqësisë dhe Pyjeve, duke e çuar numrin e viktimave në tetë.

Agjencia Associated Press tha se të paktën 27 persona u trajtuan për plagët e mara, ndërsa qindra të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore, sipas ministrit turk të shëndetësisë.

Që nga e mërkura, zjarret e fuqishme kanë prekur 32 provinca, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve, raporton Associated Press. Ndërsa 117 zjarre ishin vënë nën kontroll.

Shkaku i zjarreve është burim spekulimesh, me disa autoritete që thonë se po hetojnë akuzat për zjarrvënie. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se një nga zjarret u ndez nga fëmijët, raportoi Associated Press.

Një nga zonat më të prekura është vendpushimi Bodrum i Turqisë. Banorja Melis Birder foli të dielën me Zërin e Amerikës.

“Jam e trishtuar, jemi në stres, sepse këtu është shumë nxehtë. Zjarri që filloi në Muscular, në rrugën e aeroportit në Bodrum ende po përhapet; të tjerët janë vënë nën kontroll. Ndërsa era po shtohet, situate po bëhet përsëri më e rrezikshme”, tha zonja Birder.

Zjarret po godasin industrinë e rëndësishme të turizmit në Turqi, e cila po përpiqet ende të mëkëmbet nga humbjet e shkaktuara nga pandemia COVID-19./VOA


Shtuar 2.08.2021 16:33

Tags: ,