Donald Trump u shpreh i hapur ndaj mundësisë që Jensen Huang të marrë sërish drejtimin e Nvidia-s. Të hënën, presidenti amerikan tha se rikthimi i ish-drejtorit ekzekutiv në atë post nuk do ta shqetësonte.
Huang u largua nga detyra javën e kaluar, pasi mediat publikuan pretendime për dy marrëdhënie jashtëmartesore. Njëra, sipas raportimeve, lidhej me një grua që dyshohet se spiunonte për Kinën; tjetra me një punonjëse të Nvidia-s, e cila thuhej se ishte në varësi të tij.
Të lidhura
None found
Lajmi ka tronditur kompaninë amerikane dhe ka ngritur pikëpyetje për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pasur parasysh lidhjet e Nvidia-s me tregun kinez. Autoritetet amerikane po hetojnë gjithashtu nëse çipa të përparuar të kompanisë janë dërguar në Kinë në shkelje të kufizimeve të eksportit.
Trump ka thënë se i beson Huangit, i cili i kishte deklaruar se nuk dinte për dyshimet që lidhen me gruan.
Ish-drejtuesi i Nvidia-s është zotuar të dëshmojë para Kongresit amerikan. Mes institucioneve ku do të paraqitet është edhe Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, ku çështja do të trajtohet edhe në lidhje me pasojat e mundshme për sigurinë kombëtare.
Thirrjet për rikthimin e Huangit janë përkrahur nga figura të njohura të teknologjisë, mes tyre Elon Musk, drejtues i SpaceX, dhe Tim Sweeney, drejtues i Epic Games. Ata janë bashkuar me fushatën “Bring Jensen Back”.
Një peticion i hapur drejtuar bordit të Nvidia-s ka marrë mbi 175 mijë firma. Nënshkruesit kërkojnë që Huang të rikthehet të paktën derisa të mbyllet hetimi i brendshëm.
Musk ka paralajmëruar se largimi i Huangit mund të rrezikojë marrëveshje të rëndësishme biznesi, të cilat, sipas tij, mbështeteshin te besimi personal ndaj ish-drejtuesit. “Pa Jensen, të paktën disa prej këtyre marrëveshjeve kritike do të humbasin”, shkroi ai në X.
Edhe investitorë të rëndësishëm të kompanisë i kanë kërkuar bordit të shqyrtojë çdo alternativë, përfshirë kthimin e ish-drejtorit ekzekutiv.
Megjithatë, rikthimi i tij në një afat të shkurtër shihet si pak i mundshëm, për sa kohë që hetimet e brendshme vazhdojnë. Ndërkohë, detyrën e drejtimit e ushtron përkohësisht drejtoresha financiare Colette Kress, e cila pritet të bëjë të ditura rezultatet financiare të Nvidia-s.







