63 të infektuar me Salmonelë, shumica nën 5-vjeç, thellohet kriza me “Kinder Surprise” në Europë

Të paktën 63 persona rezultojnë të jenë infektuar me bakterin e rrezikshëm të Salmonelës për shkak të konsumit të çokollatave Kinder Surprise në Europë. “Reuters” raporton se shumica e të infektuarve janë nën moshën 5 vjeç, për shkak se këto çokollata konsumohen kryesisht nga fëmijët, ndërsa ka edhe të tjerë më të rritur.

Skandali ka shpërthyer vetëm pak javë para pashkëve, ku kompania “Ferrero” u detyrua që të tërhiqte nga tregu miliona produkte që kanë datën e skadencës nga 11 korriku deri në 7 tetor 2022 pas konstatimit se ishin infektuar me Salmonelë.

Pjesa më e madhe e produkteve janë tërhequr nga Britania e Madhe ku autoritetet shëndetësore vendase kanë kërkuar nga konsumatorët që të mos i hanë produkte të tilla sepse mund të shkaktojnë probleme shëndetësore serioze.

Vetë kompania reagoi dy ditë më parë duke theksuar se po i tërhiqte produktet nga tregu pasi i frikësohej faktit se mund të ishin infektuar me bakterin e rrezikshëm. Kjo ndodhi pasi një mori rastesh dolën në pah në Europë dhe Britaninë e Madhe ku shumica fëmijë, pacientët mësynë spitalet për të kërkuar ndihmë.

Ata kishin simptoma si diarre, marrje mendësh, këputje, dhimbje koke dhe temperaturë.