500 mijë dollarë nga Rusia, reagon Basha: PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj

Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar sot në media, ku një zyrtar amerikan kishte deklaruar se Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017 ka marrë financim rus prej 500 mijë dollarësh.

Basha e ka mohuar duke thënë se PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj, aq më tepër nga Rusia.

Basha shkruan se PD ka kërkuar hetim në lidhje me këto akuza, ndërsa shton se partner kanë SHBA.

Reagimi i Bashës:

Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja.

Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.