48 pacientë me COVID-19 në Kosovë janë në kujdes intensiv

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në spitalet e Kosovës janë duke u trajtuar 598 pacientë të infektuar me koronavirus, për dallim nga 675 sa kanë qenë një ditë më parë.

Prej tyre, 48 pacientë janë në kujdes intensiv derisa 479 pacientë janë në oksigjenoterapi.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se aktualisht në Kosovë janë mbi 12 mijë raste me koronavirus.

Një ditë më parë, më 17 shtator, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 19 viktima me koronavirus në periudhë 24-orëshe.

Prej shpërthimit të pandemisë më 2020, në Kosovë kanë vdekur 2,878 persona me këtë virus.

Ndërkohë po vazhdon procesi i vaksinimit.

Deri të premten në mesditë, 418,421 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi./REL


Shtuar 18.09.2021 13:31