Ministria e Financave ka nisur procedurat për një huamarrje të re prej 1,3 miliardë eurosh, pas miratimit të vendimit nga Qeveria.
Të lidhura
None found
Sipas dikasterit që drejtohet nga ministrja Gordana Dimitrievska-Koçoska, fondet pritet të merren në tregun ndërkombëtar gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, data e realizimit të huamarrjes ende nuk është përcaktuar, pasi do të varet nga kushtet që do të ofrojë tregu. Mjetet do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të mëparshme.
Ministria e Financave bëri të ditur se paratë do të shërbejnë për financimin e deficitit buxhetor të vitit 2027, si dhe për pagesën e borxheve që maturohen nga huamarrjet e mëparshme. Në këtë shumë përfshihet edhe Euroobligacioni i emetuar në vitin 2023, i cili arrin afatin e shlyerjes në vitin 2027.
Sipas Ministrisë, huamarrja e planifikuar është në përputhje me Strategjinë Fiskale dhe Strategjinë për Borxhin Publik.
Vendimi është kundërshtuar nga LSDM-ja, e cila pretendon se fondet po sigurohen për qëllime zgjedhore dhe se arka e shtetit është bosh. Partia e drejtuar nga Venko Filipçe deklaron se gjatë 35 viteve të fundit të gjitha qeveritë kanë marrë borxh në vlerën e 8 miliardë eurove, ndërsa Qeveria e Mickoskit, sipas saj, ka shtuar borxhin me 4 miliardë euro brenda dy vitesh.
Të dhënat zyrtare për vitin 2026 tregojnë se borxhi publik i Maqedonisë së Veriut ka kaluar 10.7 miliardë euro, duke përbërë rreth 60% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
