Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ndaj deklaratës publike të kryeministrit Edi Rama, duke e kritikuar për anulimin e konferencës për shtyp dhe shmangien e pyetjeve të gazetarëve.
Noka pretendon se kreu i qeverisë, duhej të përgjigjej për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it, si edhe për vendimet e tij politike lidhur me drejtimin e institucioneve të sigurisë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në vend që të përballej drejtpërdrejt me gazetarët, Rama zgjodhi t’i drejtohej publikut përmes një kamere. “Shqiptarët prisnin reagimin e tij për skandalin shtetëror që mban emrin Vlora Hyseni, të cilën e emëroi në krye të SHISH”, shprehet Noka.
Ai e akuzon kryeministrin se nuk pati guximin të përballej me pyetjet që do t’i drejtoheshin dhe se, në vend të një përgjegjësie publike apo dorëheqjeje, dha atë që Noka e cilëson si një monolog të përsëritur.
“Edi Rama duhej të jepte llogari për vendimet e tij politike, pasi emërimet janë përgjegjësia e tij politike. Shqiptarët prisnin dorëheqjen, por dëgjuan një fjalim të rishkruar”, deklaron sekretari i Përgjithshëm i PD-së.
Noka vijon akuzat duke thënë se qeveria e ka vendosur shtetin në dispozicion të krimit dhe se kartelet kontrollojnë postet e larta drejtuese, përfshirë edhe kryeministrin.
Ai pretendon se Shqipëria nuk ka siguri kombëtare dhe se SHISH-i, Policia e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes kontrollohen nga Ergys Agasi. Sipas Nokës, bashkëpunëtorët sekretë të SHISH-it dhe policisë janë nën ndikimin e Agasit, Suel Çelës, Troplinëve dhe Xhabaftëve, ndërsa Ministria e Mbrojtjes drejtohet nën kontrollin e Agasit dhe ortakut të tij, Ron Yeffet.
Përballë këtyre akuzave, Noka thotë se Rama nuk dha asnjë përgjigje, pasi, sipas tij, kryeministri është në qendër të skandaleve shtetërore dhe i fundit që do të mbajë përgjegjësi për narkoshtetin që ka krijuar.
