Në 32 vjetorin e masakrës së 2 prillit 1991 në qytetin e Shkodrës, ku u vranë 4 dëshmorë të Demokracisë, ish kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në nder të martirëve.
Kjo ngjarje konsiderohet dhe si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri, ku mes turmës që protestonte u vranë me snajperë nga forcat e sigurimit, Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.
Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë dhe vrau 4 të rinj.
Pasi nderoi 4 martirët dhe qytetarët shkodranë, Berisha hodhi akuza ndaj qeverisë aktuale.
Ceremonia në fjalë ku i pranishëm ishte ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryebashkiaku Bardh Spahia, u mbajt një minutë heshtje në nderim të 4 dëshmorëve.
Në fjalën e tij Berisha tha se demokratët përulen sot me nderimin më të madh para sakrificës së katër dëshmorëve.
Sali Berisha: Së pari, unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjarët e të rënëve që janë sot midis nesh në këtë 32 vjetor të martirizimit të bijve të tyre. Sot në zemrat tona, në mendjen tonë, bijtë tuaj dhe të Shkodrës, në zemrat e mbarë qytetarëve të Shkodrës dhe njerëzve liridashës kudo, ata janë dhe mbeten më të gjallë se kurrë.
Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre. Para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë.
Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste, të partisë terroriste, ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit./albeu.com/