3 të arrestuar dhe 2 nën hetim në Vlorë për vepra të ndryshme penale

Policia e Vlorës ka arrestuar tre shtetas dhe ka nisur hetim ndaj dy të tjerëve për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi i policisë:

DVP Vlorë

Policia vë në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

Procedohen penalisht dhe 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin R. H., 40 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja e sendeve të ndaluara në IEVP”.

– – – –

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-K. L., 29 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi;

-A. D., 20 vjeç, banues në Tiranë,  pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe me leje drejtimi të pezulluar, është përfshirë në një aksident dhe si pasojë është dëmtuar pasagjeri që udhëtonte me të, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

– – – –

Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u proceduan penalisht shtetasit:

P. I., dhe E. G., të dy banues në Sarandë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Ksamilit, u konstatua se këta shtetas kishin zënë hapësirën publike duke vendosur 20 shezlongë dhe 10 çadra, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 23.07.2021 12:01