22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot, 22 nëntor, shënohet dita Alfabetit të Gjuhës Shqipe i cili u unifikua 113 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.

Kjo ditë përkujtohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.

Kujtojmë se Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908, ku morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.

Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.

Zgjidhja e kësaj çështjeje ndihmoi si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar, duke i dhënë një shtysë historike përhapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe.

Alfabeti i përbashkët u bë në fakt pararendës i pavarësisë, i shtetit të përbashkët, që u themelua 4 vite më vonë në Vlorë./albeu.com

 


Shtuar 22.11.2021 09:59