Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, ka ritheksuar pretendimin se Kosova është pjesë e shtetit serb, duke rikthyer një retorikë nacionaliste që dëmton përpjekjet për stabilitet dhe pajtim në rajon.
Të lidhura
None found
Këto deklarata ai i bëri në ceremoninë e diplomimit të një grupi ushtarakësh të rinj, gjatë së cilës foli për çështjet e sigurisë dhe fuqizimin e ushtrisë së Serbisë.
Vuçiqi u shpreh se ishte i vetëdijshëm për natyrën e presioneve me të cilat do të përballeshin ushtarët e rinj dhe drejtuesit politikë. Sipas tij, për Serbinë “nuk ka asgjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme se atdheu”.
“Kosova dhe Metohia është pjesë e atij atdheu, si sipas Kushtetutës, ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit”, deklaroi presidenti serb, siç transmeton Danas.
Qëndrimi i Vuçiqit u shpreh vetëm pak ditë pasi ministrja për Kujdesin Familjar dhe Demografinë, Snežana Paunović, tha se në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Reagime kritike ndaj këtyre deklaratave ka pasur edhe nga portali evropian European Democrats.
“Vërejtje të tilla u dënuan gjerësisht anembanë Evropës, por nuk pasoi asnjë pasojë politike. Udhëheqja nuk përcaktohet vetëm nga pozicionet që merr, por edhe nga retorika që toleron dhe legjitimon”, shkroi European Democrats.
Sipas tyre, “Ballkanit Perëndimor i duhet një lidership i përgjegjshëm, i përkushtuar ndaj dialogut, pajtimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare. E ardhmja e tij evropiane nuk mund të ndërtohet mbi narrativa nacionaliste, por mbi besimin reciprok, llogaridhënien dhe vlerat e përbashkëta demokratike”.
