Vuçiq kërcënon me lumin Ibër, ekspertët ndahen: propagandë apo rrezik real për Kosovën

Një valë e re shqetësimi ka përfshirë Kosovën pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Beogradi po shqyrton mundësinë për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër në sektorin serb. Kjo deklaratë ka vënë në qendër të vëmendjes sigurinë e furnizimit me ujë dhe stabilitetin e përgjithshëm të vendit.

Të lidhura

None found

Shefi i shtetit serb e ka argumentuar këtë nismë duke iu referuar asaj që ai e quan trajtim i padrejtë i komunitetit serb nga institucionet kosovare, duke e futur kështu problemin e burimeve ujore në një fushë krejtësisht politike.

Këto pohime kanë ndezur një diskutim të gjerë mbi shkallën e rrezikut që paraqet përdorimi i kontrollit mbi Ibër si levë presioni kundër Kosovës, si dhe mbi efektet potenciale në furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, sektorin bujqësor, ekosistemin dhe sigurinë kombëtare.

Pozicioni strategjik i lumit Ibër dhe veçanërisht i zinxhirit Ujman–Ibër-Lepenc e bën këtë temë jashtëzakonisht delikate për Kosovën. Çdo veprim që do të cenonte volumin apo drejtimin e rrjedhës së ujit mund të shkaktonte pasoja të gjera, duke goditur si furnizimin me ujë të pijshëm ashtu edhe degë të tjera jetike për shtetin.

Në këtë kontekst lind dilema nëse fjalët e Vuçiqit janë thjesht një ushtrim retorik dhe element i luftës hibride, apo nëse autoritetet në Prishtinë duhet ta lexojnë këtë si një rrezik konkret për sigurinë kombëtare dhe ta shtrojnë urgjentisht çështjen në tryezën ndërkombëtare.

Gjithashtu, thelbësor mbetet qëndrimi që do të mbajnë institucionet e Kosovës dhe aleatët si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe organizma të tjerë globalë, përballë çdo tentative për t’i shndërruar rezervat ujore në armë presioni.

Dashevci: Deklaratë propagandistike, rrezik praktik inekzistent

Image

Për portalin “Bota sot”, eksperti i sigurisë Arben Dashevci i ka cilësuar pohimet e Vuçiqit si thjesht propagandë dhe pjesë të arsenalit hibrid të Serbisë.

Sipas tij, ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është një skenar i pamundur nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, meqenëse traktatet për lumenjtë ndërkufitarë nuk autorizojnë ndërhyrje të kësaj natyre.

“Po, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë ‘mundësinë’ e pamundur, sepse është e pamundur, konventat ndërkombëtare për ujërat nuk e lejojnë një gjë të tillë dhe kinse, sipas tij, e do ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke e lidhur një veprim të tillë me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë”, ka deklaruar ai.

Dashevci shton se pohimet e liderit serb nuk pasqyrojnë realitetin në Kosovë, dhe se e gjithë kjo manovër synon të gjenerojë presion dhe të largojë vëmendjen nga turbulencat e brendshme në Serbi.

“Deklarata e Vuçiqit është puro propagandë për nevoja të tij të brendshme politike, zhvendosje të vëmendjes nga problemet e shumta që ka atje me popullin e tij në atë shtet dhe, natyrisht, është vazhdë e luftës së tij hibride, sepse është e dyta herë që përmend një propagandë pa asnjë efekt praktik dhe absolutisht të pamundur”, ka theksuar ai.

Ai konsideron se probabiliteti që devijimi i Ibrit të aktivizohet si mjet shantazhi është pothuajse zero, pikërisht falë barrierave të vendosura nga legjislacioni ndërkombëtar.

“Pra, unë mendoj që nuk është aspak serioz, rreziku është zero në aspektin e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare që ndryshimi i rrjedhës së Ibrit të përdoret nga Serbia si mjet presioni ndaj Kosovës. Nuk ka pasojë kur nuk mund të realizohet ajo që e ndalon konventa ndërkombëtare dhe është strikte e njëjtë për të gjithë botën”, ka thënë ai.

Megjithatë, eksperti nënvizon se pavarësisht pamundësisë tekniko-ligjore, Kosova duhet të jetë proaktive në rrafshin diplomatik dhe ta ngrejë menjëherë shqetësimin pranë partnerëve strategjikë.

“Kosova duhet ta alarmojë bashkësinë ndërkombëtare me gjithë kapacitetin e saj diplomatik që ka. Unë mendoj që duhet ta ngrejë menjëherë çështjen në nivel ndërkombëtar, në një reagim të koordinuar me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithsesi me SHBA-në, por dhe institucionet tjera ndërkombëtare”, ka përfunduar Dashevci.

Image

Racaj: Uji si pasuri strategjike, deklarata kërkon qasje të menjëhershme

Në kontrast me këtë qëndrim, Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major në rezervë, gjykon se deklarata e Vuçiqit nuk mund të trajtohet si një episod i thjeshtë retorik apo një debat hidroteknik, por si një sfidë që cënon sigurinë kombëtare, atë njerëzore dhe fushën e luftës hibride.

“Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e lidhur këtë me pretendimet për trajtimin e serbëve në Kosovë, duhet të merret shumë seriozisht. Kjo nuk është vetëm një deklaratë politike apo një debat hidroteknik. Në këndvështrimin tim, ajo duhet të analizohet si çështje e sigurisë kombëtare, sigurisë njerëzore dhe luftës hibride.

Është një parim që po bëhet gjithnjë e më i qartë në marrëdhëniet ndërkombëtare: shekulli XXI është shekulli i konkurrencës dhe luftës për energji, ndërsa shekulli XXII mund të jetë shekulli i konkurrencës së ashpër për ujë dhe burime të tjera jetike. Për këtë arsye, uji nuk mund të trajtohet më vetëm si resurs natyror; ai është edhe resurs strategjik.

Në rastin e Kosovës, rëndësia e Ibrit dhe veçanërisht e sistemit Ujman–Ibër-Lepenc është shumë më e madhe sesa duket në shikim të parë. Një raport i laboratorit amerikan Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), i publikuar në vitin 2021, e konsideron Liqenin e Gazivodës/Ujmanit një komponent të rëndësishëm të sigurisë ujore dhe energjetike të Kosovës. Sipas raportit, ujërat e liqenit sigurojnë rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës dhe përdoren për ftohjen e dy termocentraleve me qymyr, të cilat në atë kohë përbënin rreth 95 për qind të prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës.

Kjo e bën çështjen shumë më serioze. Nëse një aktor shtetëror arrin të ndikojë në mënyrë të qëllimshme në sasinë, cilësinë ose rrjedhën e ujit, ai mund të krijojë pasoja zinxhir: ujë të pijshëm, bujqësi, industri, energji, shëndet publik dhe stabilitet shoqëror”, ka deklaruar Racaj.

Ai e lidh këtë alarm me ngjarjet e mëparshme që kanë prekur infrastrukturën ujore të vendit, duke evokuar shpërthimin që goditi kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor 2024.

“Prandaj, deklarata e Vuçiqit duhet të shihet edhe në kontekstin e asaj që ndodhi në nëntor të vitit 2024, kur një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës. Sulmi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë dhe kërcënoi sistemin energjetik të vendit; pas incidentit u shtuan masat e sigurisë dhe KFOR-i mori masa për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Përgjegjësia për sulmin mbeti objekt i akuzave dhe hetimeve, ndërsa Beogradi e mohoi përfshirjen.

Në këtë kuptim, deklarata e fundit e presidentit serb është shqetësuese sepse e zhvendos ujin nga sfera e bashkëpunimit teknik në atë të presionit politik dhe potencialisht të sigurisë.

Nga pikëpamja teknike, siç ka theksuar edhe inxhinieri hidroteknik Mumin Morina, ndërhyrjet në rrjedhën e një lumi mund të realizohen teknikisht përmes veprave hidroteknike. Por kjo nuk do të thotë se një shtet ka të drejtë ta bëjë këtë sipas dëshirës. Pikërisht këtu hyn e drejta ndërkombëtare.

Konventa e UNECE-së për ujërat ndërkufitare vendos tri parime themelore: parandalimin e dëmit ndërkufitar, përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve që ndajnë të njëjtin sistem ujor. UNECE thekson gjithashtu se edhe ndërhyrjet në rrjedhën e ujit që mund të ulin ose ndryshojnë prurjet në shtetin poshtë rrjedhës kërkojnë trajtim në kuadër të këtyre detyrimeve dhe konsultimeve ndërmjet palëve.

Pra, uji nuk mund të përdoret si armë politike apo si mjet ndëshkimi ndaj një popullsie”, ka shtuar ai.

Lidhur me veprimet që duhet të marrë Prishtina, Racaj insiston në një përgjigje të shpejtë dhe të sinkronizuar në disa fronte.

“Në këndvështrimin tim profesional, kërcënimi duhet të trajtohet në tri nivele.

Së pari, niveli diplomatik. Kosova duhet ta dokumentojë menjëherë deklaratën dhe ta përcjellë zyrtarisht tek BE-ja, SHBA-ja, NATO-ja, Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Nuk duhet pritur që një kërcënim të shndërrohet në veprim konkret për të reaguar.

Së dyti, niveli i sigurisë. Infrastrukturat e ujit duhet të trajtohen si infrastrukturë kritike kombëtare. Kjo përfshin Ujmanin, kanalin Ibër-Lepenc, objektet e furnizimit me ujë dhe komponentët që lidhen me prodhimin e energjisë. Mbrojtja nuk duhet të jetë vetëm fizike, por edhe kibernetike, teknologjike dhe informative.

Së treti, niveli strategjik. Kosova duhet të ndërtojë alternativa dhe rezerva. Një shtet është më i mbrojtur ndaj shantazhit kur nuk varet nga një burim i vetëm. Prandaj kërkohet diversifikimi i burimeve të ujit, rezervuarëve, sistemeve të furnizimit, kapaciteteve të emergjencës dhe lidhjeve energjetike”, ka renditur Racaj.

Ai ka tërhequr vëmendjen se situata duhet analizuar edhe përmes prizmit të luftës hibride, sepse burimet esenciale dhe infrastruktura vitale mund të kthehen në instrumente shantazhi pa pasur nevojë për një konflikt të hapur ushtarak.

“Duhet të kemi parasysh edhe dimensionin e luftës hibride. Lufta moderne nuk fillon domosdoshmërisht me tanke dhe avionë. Ajo mund të fillojë me një deklaratë politike, një fushatë dezinformimi, presion ekonomik, sulm kibernetik, sabotim të infrastrukturës ose manipulim të një burimi jetik. Në këtë kuptim, përdorimi i ujit si instrument presioni do të ishte një shembull tipik i luftës hibride ndaj një shteti dhe shoqërie.

Megjithatë, duhet të bëjmë edhe një dallim të rëndësishëm: nuk duhet të krijohet panik. Deklarata politike nuk është e njëjtë me realizimin teknik të një projekti. Por pikërisht sepse pasojat potenciale janë kaq të mëdha, shteti duhet të veprojë me parimin e parandalimit.

Kosova duhet të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë një mekanizëm të përhershëm monitorimi dhe bashkëpunimi për ujërat ndërkufitare të Ibrit, me transparencë mbi çdo projekt të ri hidroteknik që mund të ndikojë në rrjedhën e ujit.

Mesazhi duhet të jetë i qartë: Ibrit nuk mund të përdoret si mjet politik dhe Ujmani nuk mund të shndërrohet në armë të presionit ndaj Kosovës”, ka mbyllur intervistën Prof. Dr. Muhamet Racaj për “Bota sot”.


Shtuar 12.08.2026 14:30

matbetHoliganbetJojobetholiganbetHoliganbetjojobetHoliganbetJojobetjojobetcratosroyalbetimajbetcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortAnkara escortcasibommarsbahiscasibombetpark girişHoliganbetGrandpashabetJOJOBET GİRİŞLERİCasibomcasibomHoliganbetJojobet