Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se NATO nuk do të lejojë që në Kosovë apo në Ballkan të krijohet vakum sigurie, pasi ky rajon i Evropës ka rëndësi strategjike për Aleancën.
Të lidhura
None found
Këto qëndrime Ulutash i shprehu gjatë një interviste për kp, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Kosova do të ishte sot e sigurt pa praninë e KFOR-it dhe se cilat kushte duhet të përmbushen që ky mision të mos jetë më i nevojshëm.
Sipas tij, gjatë 27 vjetëve të fundit, KFOR-i ka shërbyer si një prej shtyllave të sigurisë në Kosovë dhe si element thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ai e vlerësoi si shenjë pozitive faktin që prania e misionit tashmë po optimizohet, pasi situata e përgjithshme e sigurisë është e qëndrueshme.
Megjithatë, Ulutash theksoi se NATO-ja dhe KFOR-i vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuar për sigurinë e Kosovës. Ai nënvizoi se Ballkani Perëndimor përbën një zonë me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se siguria e tij lidhet drejtpërdrejt me atë të hapësirës euroatlantike, ndaj NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi sigurie.
Gjeneralmajori bëri të ditur se KFOR-i do të vijojë ta përmbushë mandatin e vet në mënyrë të plotë dhe të paanshme, por shtoi se arritja e sigurisë afatgjatë kalon përmes zgjidhjeve politike dhe jo atyre ushtarake.
Në këtë kuadër, ai tha se KFOR-i do të vazhdojë rolin e tij si pjesë e përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të ndihmuar përparimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas Ulutashit, ky proces përbën kornizën për trajtimin e të gjitha çështjeve që vazhdojnë të mbeten të hapura, duke respektuar plotësisht të drejtat e çdo komuniteti.
Duke komentuar nivelin e lartë të besimit që qytetarët e Kosovës kanë te KFOR-i, Ulutash deklaroi se forca e NATO-s do të vazhdojë t’i qëndrojë mandatit të saj afatgjatë të OKB-së dhe të kontribuojë për krijimin e një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.
Ai u shpreh i inkurajuar nga përmirësimi i gjendjes së sigurisë dhe nga kontributi që KFOR-i ka dhënë në këtë përparim. Ulutash theksoi se misioni do të vijojë përpjekjet për ta ruajtur paqen e arritur me shumë mund, në të mirë të të gjithëve.
