Milot Rashica u transferua tek anglezët e Noruiç Sitit dhe vitin tjetër do të luajë në Premier Ligën angleze.
Nuk dihet ende shifra e transferimit, por Rashica ka firmosur një kontratë 4 vjeçare me sapo te ngjiturit në elitën e futbollit anglez.
Në një intervistë për “Canaries.co.uk”, sulmuesi i dardanëve foli për herë të parë si futbollist i Noruiç Sitit duke thënë:
“Unë jam me të vërtetë i lumtur që do të luaj para tifozëve të Noruiçit në Premier Ligë. Sigurisht që do të jap më të mirën këtij klubi në çdo ndeshje dhe shpresoj të entuziazmoj tifozët me shumë gola dhe asistime. Mezi pres të filloj.
Unë di disa gjëra për klubin, veçanërisht stilin e lojës së trajnerit Daniel Farke. Unë dua të vazhdoj të mësoj dhe zhvillohem si lojtar dhe person dhe mendoj se stili i lojës këtu do të më përshtatet shumë.
Unë kam folur me trajnerin dhe e di se çfarë dëshiron të shohë nga unë. Këto biseda me të kohët e fundit kanë qenë një ndihmë e madhe dhe jam shumë i ngazëllyer.
Nuk njoh asnjë nga lojtarët ose stafin, por unë kam shumë miq këtu dhe në Gjermani që flasin shumë mirë për Noruiç Sitin dhe mënyrën e funksionimit të klubit.
Gjithmonë ka qenë një ëndërr që unë të luaja në Premier Ligë dhe jam kaq i lumtur që Noruiçi më dha këtë mundësi të shkëlqyer. Kam luajtur disa ndeshje në Angli më parë. Kam luajtur me Viteshen kundër Sauthemptonit në një sfidë për kualifikueset e Ligës së Europës, gjithashtu dhe disa ndeshje para-sezonale kundër disa ekipeve angleze.
Unë gjithashtu kam disa familjarë të mi në Londër. Unë dhe familja ime po presim me padurim të transferohemi në Angli, të jemi më pranë tyre dhe të përjetojmë diçka të re”, e mbylli fjalën e tij Rashica.