Interpelanca e kërkuar nga Aleanca për kryeministrin Albin Kurti, për dështimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të zhvillohet në seancën e ardhshme të Kuvendit. Këtë e bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri.
Tahiri sqaroi se interpelanca nuk do të mbahet këtë të enjte, pasi Kurti nuk ndodhet në Kosovë. Ai nënvizoi se rifillimi i dialogut strategjik me SHBA-në është i rëndësishëm për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas Tahirit, mungesa e këtij procesi rrezikon të ketë pasoja për integrimin në NATO, sigurimin e njohjeve të reja dhe raportet me administratën amerikane.
“Si grup parlamentar, kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin Kurti për të diskutuar dështimin e dialogut strategjik me SHBA-të. Meqë këtë të enjte kryeministri nuk ishte në Kosovë, interpelanca u shty për seancën e radhës. E konsiderojmë jetik forcimin e subjektivitetit të Kosovës dhe të institucioneve tona, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, si dhe ndërtimin dhe rikthimin e dialogut strategjik Kosovë-Amerikë. Nëse nuk ecin përpara procesi i integrimit, veçanërisht ai drejt NATO-s, njohjet e reja, angazhimi i administratës Trump dhe marrëdhëniet, situata do të jetë mjaft problematike”, deklaroi Tahiri.
Po ashtu, Tahiri shprehu kundërshtimin ndaj procedurës për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil, duke e cilësuar qasjen e ndjekur të pasaktë.
Ai theksoi se administrata shtetërore nuk duhet të lidhet me asnjë parti dhe se vendimet për të nuk mund të mbështeten në vlerësime personale, por duhet të merren përmes procedurave të rregullta. Tahiri tha se ka kërkuar që çështja të hiqet nga agjenda e vazhdimit të dy seancave të Kuvendit.
“Një çështje tjetër është kërkesa për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil. Procedura dhe qasja janë të gabuara. Administrata shtetërore nuk është pronë e një partie dhe nuk duhet të bëhet objekt vlerësimesh personale; çështja duhet të trajtohet përmes procedurës përkatëse. Kërkova që ajo të hiqet nga agjenda e vazhdimit të këtyre dy seancave”, tha Tahiri.






