Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon sot një marshim protestues kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të lidhura
None found
Tubimi do të nisë në orën 11:30 në Qendrën e Studentëve, prej nga pjesëmarrësit do të marshojnë drejt sheshit “Skënderbeu”, në qendër të Prishtinës.
Nisma e studentëve zhvillohet në ditën e pestë të protestave kundër aktgjykimit të Speciales.
Gjatë mbrëmjes së kaluar, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara.
Në protestë ishin të pranishëm edhe djemtë dhe familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Protesta e natës së pestë u hap me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar, ku ishte vendosur edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qytetarët mbanin pankarta me mesazhet “Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Liria ka emër”. Gjatë tubimit u dëgjuan gjithashtu thirrje në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestat nisën më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
