Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten institucionet që gëzojnë besimin më të madh te qytetarët në vend.
Në rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, 87.4 për qind e qytetarëve janë deklaruar se i besojnë FSK-së, ndërsa 85.6 për qind Policisë së Kosovës, duke i pozicionuar këto dy institucione në krye të listës së më të besueshmeve në Republikën e Kosovës.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë anketim, Policia e Kosovës ka shprehur mirëpritjen e saj, duke e cilësuar si një vlerësim domethënës për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e pandërprerë të zyrtarëve policorë.
“Besimi i qytetarëve është themeli i punës policore dhe një tregues i drejtpërdrejtë i partneritetit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit. Ky besim është inkurajim për punë policore me përkushtim, në përmbushjen e misionit tonë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Anketa nxjerr në pah gjithashtu se qytetarët vijojnë t’i shohin sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si disa prej prioriteteve kryesore për zhvillimin e vendit.
