Pal Shtufi ka ndarë rrëfimin e tij për një prej episodeve që e ka prekur më rëndë në marrëdhënien me Riza Salihun, pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Të lidhura
None found
Duke folur në ciklin “Dosjet”, pjesë e emisionit “Debat Plus”, Shtufi tha se lajmin për vrasjen e tre veprimtarëve e kishte marrë vesh në mbrëmje, përmes televizionit. Disa ditë më vonë, Riza Salihu ishte paraqitur në shtëpinë e tij, rreth 700 kilometra larg.
Fillimisht, Shtufi kishte besuar se vizita e Salihut kishte të bënte me shprehjen e ngushëllimeve. Megjithatë, gjatë bisedës ai kishte kuptuar se qëllimi i vizitës ishte tjetër.
“Pas dy-tre ditëve, se besoj që e katërta ditë ka qenë, kur Rizahu vjen te ne. Edhe një befasi e dorës së parë. Nja 700 kilometra po vjen. Ne mendja na shkon që për ngushëllim se s’ka tjetër. Edhe, siç e përshkruaj edhe në libër, ai jo, ka ardhur për diçka tjetër. Policia e kanë kërkuar, edhe thotë, s’kam alibi”, rrëfeu Shtufi.
Ai tregoi se në atë periudhë nuk e dinte as kuptimin e fjalës “alibi” dhe i kishte kërkuar Salihut t’ia sqaronte.
Sipas rrëfimit të Shtufit, Salihu kishte deklaruar se kishte qëndruar në banesën e tij, por nuk kishte mundësi ta provonte këtë. Për këtë arsye, vizita te Shtufi do t’i shërbente si dëshmi se ai kishte qenë në shtëpinë e tyre.
“Vetë kam qenë në banesë, nuk mund me dhënë dëshmi që kam qenë në banesë. Edhe, domethënë, me u shpreh se këtu kam qenë te ju. Ne duhet me thënë, me dëshmu që jo, ka qenë këtu”, tha Shtufi.
Shtufi u shpreh se nuk pranoi të përfshihej në këtë kërkesë, ndërsa situata brenda shtëpisë u bë e tensionuar.
Gjatë bisedës, sipas tij, Riza Salihu dha edhe deklarata të ndryshme për atë që kishte ndodhur me Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.
“Tha, jo s’është i vrarë. Gestapo-ja, këto domethënë Shërbimi sekret i Hitlerit, thotë, ka mbaruar një skenë asisoj, sikur këta janë vrarë, po në fakt këta i kanë çuar në shërbime të tjera, ua ndërrojnë identitetin, kështu gjëra, nuk janë vrarë”, rrëfeu ai.
Por më pas, sipas Shtufit, Salihu e kishte ndryshuar versionin, duke thënë se tre veprimtarët ishin vrarë.
“Tha, po ata janë të vrarë se UDB-ja i ka vrarë vetë”, tha Shtufi, duke përcjellë deklaratën që ia atribuoi Salihut.
Kjo mospërputhje e kishte shtyrë Shtufin ta pyeste pse Salihut i nevojitej një alibi nëse tre personat nuk ishin vrarë.
“Po pse thashë vetë? Tha, po e kanë kryer punën ata, s’ju duhen më. Thashë, po çfarë kanë kryer bre vëlla?”, rrëfeu Shtufi.
Sot, Shtufi mendon se Salihu mund të kishte frikë se ai dhe personat e tjerë do ta raportonin në polici. Megjithatë, ai theksoi se në atë kohë nuk e kuptonte peshën e kërkesës për alibi.
“Unë as ia dija rëndësinë asaj alibie. As s’e kam shkuar në mendja me e thirr”, tha ai.
Pas kësaj, Salihu ishte larguar nga shtëpia. Shtufi tregoi se e kishte shoqëruar deri te një stacion i vogël i trenit.
“Bile e përcolla deri te një stacion i vogël të trenit, edhe shkoi”, tregoi Shtufi.
Ai shtoi se Salihu ishte arrestuar po atë ditë ose të nesërmen. Rreth një vit më pas, Salihu e kishte telefonuar sërish.
“Pas një viti ai telefonon prapë dhe thotë: ‘Ju dogjën Gestapos letrat në dorë. Dola nga burgu’”, rrëfeu Shtufi.
Shtufi tha se kjo ngjarje kishte ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si e kishte vlerësuar më vonë Riza Salihun.
Në të njëjtën intervistë, Shtufi deklaroi gjithashtu se Salihu e kishte cilësuar Jusuf Gërvallën si bashkëpunëtor të UDB-së. Sipas pretendimit të Salihut, shërbimi sekret jugosllav e kishte dërguar Gërvallën në Perëndim me qëllim që të shkatërronte lëvizjen ilegale shqiptare.
Sidoqoftë, Shtufi tha se nuk është i bindur që Riza Salihu ka qenë vetë në shërbim të UDB-së dhe shtoi se nuk dëshiron të japë një përfundim të prerë për këtë çështje.
