Operacioni policor “Hallkat”, i zhvilluar në Maminas të Durrësit, çoi në sekuestrimin e tri pistoletave dhe 34 fishekëve. Sipas Policisë së Shtetit, armët dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova për t’iu shitur grupeve kriminale në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Në flagrancë u arrestua M. B., 34 vjeç dhe banues në Kukës, i cili dyshohet se po transportonte armët me automjet, përcjell KosovaPress.
Bashkë me të u vu në pranga edhe pasagjerja D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren. Ajo dyshohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit të automjetit me të cilin të dy po udhëtonin në Maminas, u zbuluan tri armë zjarri të llojit pistoletë dhe 34 fishekë, për të cilat dyshohet se janë sjellë ilegalisht nga Kosova.
Kontrolli në banesën e të dyshuarit zbuloi gjithashtu një armë të ftohtë, konkretisht një dorezë hekuri. Autoritetet sekuestruan edhe automjetin që dyshohet se ishte përdorur për transportin e armëve.
M. B. po hetohet për veprat penale “Trafikim të armëve dhe municionit” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”.
Hetuesit po punojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me rastin. Materialet procedurale ndërkohë i janë referuar Prokurorisë për veprimet e mëtejshme.
