Në Raportin për Kosovën 2026, të publikuar të mërkurën, Komisioni Evropian shpreh shqetësim për mënyrën e ashpër me të cilën zyrtarë të lartë të qeverisë u janë drejtuar gazetarëve dhe mediave. Sipas dokumentit, mes tyre është edhe kryeministri Albin Kurti.
Komisioni u bën thirrje zyrtarëve publikë të shmangin deklaratat që vënë në shënjestër gazetarët ose cenojnë besueshmërinë e tyre.
Të lidhura
None found
Gjatë periudhës së shqyrtuar janë evidentuar 35 raste sulmesh fizike e verbale dhe kërcënimesh ndaj gazetarëve, një numër ndjeshëm më i ulët se vitin e kaluar. Raporti përmend edhe arrestimin dhe ndalimin për një kohë të shkurtër nga Policia e Kosovës të një kameramani. Po ashtu, të paktën katër persona u ndaluan për kërcënime ndaj gazetarëve.
Sipas vlerësimit të Komisionit, skena mediatike e Kosovës vazhdon të jetë pluraliste, por transparenca për pronësinë dhe qëndrueshmëria financiare e mediave mbeten sfida. Gjatë periudhës nuk u regjistrua asnjë padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Gazetarët përballen ende me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe pasiguri ligjore. Shqetësimi është veçanërisht i madh në zonat me shumicë serbe, ku, sipas raportit, nxitet autocensura.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe partitë opozitare e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin, duke e akuzuar për retorikë armiqësore ndaj gazetarëve. Megjithatë, kjo është hera e parë që një kritikë e tillë përfshihet kaq shprehimisht në vlerësimin vjetor të Brukselit.
Në konferencën për media pas marrjes së raportit, Kurti tha se liria e shprehjes është një nga fushat ku Kosova ka shënuar progres.







