Natasha Kandiq, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një prej temave më të ndjeshme të periudhës së pasluftës në Kosovë, duke folur për mundësinë që në Pasuljanske Livade të ekzistojë një varr masiv.
Të lidhura
None found
Këto deklarime kanë hapur sërish dilema për fatin e personave të zhdukur me forcë, si dhe për përgjegjësinë që kanë autoritetet në ndriçimin e plotë të së vërtetës.
Nëse pretendimet në fjalë konfirmohen, atëherë bëhet fjalë për një zhvillim me peshë të jashtëzakonshme për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të marrin vesh çfarë ka ndodhur me më të afërmit e tyre.
Në këtë situatë, shtrohet çështja se çfarë hapash duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës për të kërkuar hetime konkrete dhe për të siguruar qasje në lokacionet që konsiderohen të dyshuara.
Njëkohësisht, mbetet e hapur edhe pyetja nëse bashkësia ndërkombëtare duhet të rrisë presionin ndaj Serbisë për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të viktimave të luftës dhe në identifikimin e varreve të mundshme masive.
Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për të pagjeturit pa reagim
Gazeta “Bota sot” i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për të marrë një qëndrim lidhur me deklaratat e Natasha Kandiq mbi mundësinë e ekzistencës së një varri masiv në Pasuljanske Livade, në Serbi. Por deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar të komentojë këto pretendime.
Për të njëjtën çështje, “Bota sot” ka kërkuar përgjigje edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Megjithatë, deri në momentin e publikimit, as ky Komision nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetës për koment.
Kërkohet hetim i plotë për pretendimet mbi varrin masiv në Serbi dhe presion më i madh ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të viktimave të luftës në Kosovë
Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një deklarim për “Bota sot” lidhur me këtë çështje, thotë se çdo e dhënë e re që mund të kontribuojë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë duhet të merret me seriozitetin më të lartë.
“Në mënyrë personale mendoj se çdo informacion i ri që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që nga viti 1999 e deri më sot duhet të trajtohet me seriozitet maksimal. Nëse ekzistojnë pretendime për një varr masiv në Pasuljanske Livade, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë menjëherë përmes mekanizmave shtetërorë zyrtarë, duke kërkuar hetim të plotë dhe bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet përkatëse në Serbi”, thotë Berisha.
Sipas Berishës, pas deklaratës së Natasha Kandiq, e cila ka përmendur mundësinë e ekzistencës së një varri masiv në Pasuljanske Livade, kërkohet një përfshirje edhe më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.
“Çështja e personave të pagjetur nuk është vetëm një çështje politike, por mbi të gjitha humanitare dhe e të drejtave të njeriut. Prandaj, kur pretendime të tilla bëhen edhe nga qytetarë serbë, kërkohet presion më i madh ndërkombëtar për hapjen e arkivave, hetimin e çdo lokacioni të dyshuar dhe që asnjë informacion të mos mbetet i pashfrytëzuar apo i patrajtuar në detaje“, shprehet ai.
Ai nënvizon se familjet e personave të zhdukur kanë pritur për më shumë se dy dekada dhe se e meritojnë ta dinë të vërtetën.
“Për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të dinë fatin e më të dashurve të tyre, e vërteta është vonuar tepër dhe nuk ka më asnjë arsye që të shtyhet. Familjarët e të pagjeturve janë thellësisht të zhgënjyer dhe meritojnë drejtësi, përgjigje dhe dinjitet. Shoqëria, e veçanërisht institucionet, kanë detyrim të bëjnë gjithçka që është e mundur derisa të gjendet edhe personi i fundit i pagjetur”, përfundon eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.

