Policia e Kosovës ka hedhur poshtë raportimet se vendi po “blindohet” përpara vendimit që pritet të merret në Hagë. Në një njoftim zyrtar, ajo sqaroi se planet policore hartohen si pjesë e procedurave të zakonshme, veçanërisht kur parashikohen zhvillime, aktivitete ose grumbullime të mëdha qytetarësh.
Të lidhura
None found
Sipas institucionit policor, masat e sigurisë synojnë informimin e drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe parandalimin e keqinformimit që mund të përhapet përmes portaleve të ndryshme.
Policia bëri të ditur se planifikime të tilla zbatohen edhe për tubime të ndryshme, përfshirë marshin solidarizues paqësor të 12 shtatorit 2026. Qëllimi i tyre është menaxhimi i sigurt i pjesëmarrësve, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, organizimi i qarkullimit rrugor dhe garantimi i zhvillimit normal të aktiviteteve.
Gjatë vlerësimit të situatës, autoritetet marrin parasysh edhe mundësinë që persona ose grupe të caktuara, edhe nga jashtë Kosovës, të përpiqen të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për të shkaktuar provokime, incidente apo veprime destabilizuese.
Institucioni thekson se bëhet fjalë për masa standarde dhe parandaluese, të përcaktuara në varësi të numrit të pritshëm të pjesëmarrësve dhe vlerësimit të përgjithshëm të rrethanave.
Policia e Kosovës u ka kërkuar qytetarëve dhe mediave të referohen vetëm te njoftimet zyrtare, si dhe të mos shpërndajnë pretendime të pakonfirmuara që mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë ose të shkaktojnë shqetësim të panevojshëm në opinion.
Reagimi erdhi pas raportimeve mediatike se Policia e Kosovës kishte përgatitur një plan të gjerë operacional për 16 shtatorin, datë kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
